Hoxhaj: Mohimi i krimeve të luftës në Kosovë, krim i dyfishtë

11 prill 2019 | 23:37

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili sot propozoi një ligj për dënimin e mohimit të krimeve të luftës në Kosovë, ka thënë se një mohim i krimeve të tilla është krim i dyfishtë.

Ai ka thënë se qëllimi kryesor i një ligji të tillë është të ndalë përgjithmonë diskursin e tillë politik e t’i shërbejë pajtimit.

“Qëllimi kryesor është të ndalet një diskurs publik e kjo temë të rregullohet njëherë e përgjithmonë. Viteve të fundit kemi pas një gjuhë politike nga serbët që të gjitha krimet e para 20 vjetëve i mohojnë, i falsifikojnë. Ne më 1999 kemi pritur për 10 vjet apo 20 situatë pajtimi e që dikush të mohojë dhunën e planifikuar shtetërore është hiq më pak se krim i dyfishtë”, ka thënë ai në “Interaktiv” të “KTV”-së.

Ai ka shtuar se për një gjë të tillë Kosova mund të shohë praktikat perëndimore. Sipas tij, dikush që mohon krimet e tilla nuk dihet a jeton më 2019 apo në vitin 1999.

Hoxhaj ka thënë se një ligj i tillë do të shtonte vetëdijen te të gjithë që mund të ndiqen penalisht nëse bëjnë deklarata të tilla, duke e ndërlidhur këtë me shkarkimin e ministrit Ivan Todosijeviq që ditë më parë kishte mohuar masakrën e Reçakut.

“Prandaj mendoj që me ligj do të duhej të rregullohej. Gjithkush të dijë se mund të ndiqet penalisht nëse bën deklaratë të tillë. Reçaku ishte ngjarje e rëndë për ne e për Evropën. Shumë diplomatë, gazetarë, politikanë që punonin në atë kohë, edhe më tutje kthehen pas asaj tragjedije. Përtej vettiungut apo vendimeve që të shkarkohen ky apo ai, le të rregullohet me ligj”, ka thënë Hoxhaj.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Gorancë të…