Hoxhaj: Moment historik për marrëveshje në favor të Kosovës

12 qershor 2020 | 21:37

Enver Hoxhaj, ish-ministër i Jashtëm në Kosovë duke folur për sfidën e negociatave me Serbinë thotë se, qeveria aktuale është legjitime dhe legale, por deri tani nuk ka paraqitur ndonjë platformë serioze për këtë proces. Anëtari i Kryesisë së PDK-së tha për “Balkan Talks” se partia e tij është në opozitë por për çështje të shtetit do ta mbështesin qeverinë.

“Ne jemi opozitë ndaj qeverisë së Kosovës, por nuk do të jemi opozitë ndaj shtetit të Kosovës. Për çdo çështje të shtetit të Kosovës do ta mbështesim qeverinë, por do të shohim se sa serioze është qeveria në raport me dialogun. Deri tani kemi parë vetëm një përmbajtje të dobët të platformës së qeverisë, ndaj kërkojmë parimet e qeverisë për dialogun. Deri tani nuk shohim qasje serioze. Pa një koordinim të brendshëm të forcave kryesore politike në Kosovë, unë mendoj se ne nuk do të arrijmë të nënshkruajmë një marrëveshje me Serbinë dhe më së paku ta zbatojmë”, ka thënë deputeti Hoxhaj.

Për ish-ministrin e Jashtëm, Kosova duhet të shfrytëzojë këtë moment historik për të arritur një marrëveshje në favor të saj. Këtu ai iu referua rivalitetit SHBA-Kinë dhe rënies së ndikimit nga Evropa.

““Duhet të shfrytëzojmë situatën e favorshme politike dhe vëmendjen amerikane dhe evropiane dhe të mos humbim kohë. Kam frikë për të ardhme ne Kosovës nëse ne nuk e shfrytëzojmë këtë shans historik. Ka një rivalitet më të madh mes SHBA dhe Kinës dhe nga ana tjetër Evropa po humb gravitetin e saj”, tha Hoxhaj.

“Kosova në planin e jashtëm ka kundërshtarë të mëdhenj. Është e vërtetë që kemi mbështetjen e SHBA dhe BE, por kundërshtarët më të mëdhenj mbeten Rusia dhe Kina, ndaj duhet të jemi të vetëdijshëm për kohën në të cilën veprohet. Unë shoh një bashkëpunim të mundshëm me qeverinë nëse qeveria është serioze në dialog”, shtoi deputeti i PDK-së.

Hoxhaj caktoi dhe tri pika kryesore që duhen përmbushur nga qeveria aktuale për nisjen e dialogut: platformë të mirëfilltë, ta besojnë dialogun pasi partitë e qeverisë në të kaluarën nuk e kanë besuar këtë proces dhe të koordinohet me SHBA dhe BE që të mos krijohet një përçarje Uashington-Bruksel siç ka bërë z. Kurti sa ka qenë në qeveri.

I pyetur nga drejtuesi i emisionit, Franko Egro nëse PDK i qëndron kërkesës për zgjedhje të parakohshme pas pandemisë, Hoxhaj deklaroi: “Si çdo kund opozita kërkon zgjedhje të parakohshme dhe ne jemi në opozitë dhe kërkojmë zgjedhje të parakohshme. Në momentin kur të përfundoi pandemia, PDK është e gatshme që të ketë zgjedhje të parakohshme.”

Ndërsa duke komentuar marrëdhëniet Kurti-SHBA, ai tha se ish-kryeministri është përpjekur të krijojë një opinion të rrejshëm se SHBA-të e kanë larguar nga pushteti. “Kjo nuk qëndron. Z. Kurti realisht e ka përfunduar karrierën e tij politike si kryeministër me vullnetin e LDK meqë nuk ka ditur të menaxhojë situatën ku ka qenë përgjegjës. Ndoshta ka pasur ndonjë kalkulim të tij që nëse nuk merr përgjegjësi për pandeminë dhe dialogun mund të rikthehet dhe më fuqishëm”, ka deklaruar Hoxhaj.

Sa i takon idesë për një shkëmbim të mundshëm të territoreve mes dy vendeve, Hoxhaj tha se qëndrimi i PDK-së është kundër. “Qasja jonë është që shtet ndërtimi i Kosovës të përmbyllet me kufijtë e shpalljes së pavarësisë. Shkëmbimi i territorit është i papranueshëm. Nuk pranojmë një marrëveshje të keqe për Kosovën”, u shpreh ish-ministri i Jashtëm.

Ish-kreu i diplomacisë tha më tej se, mirëpret Miroslav Lajçka si përfaqësues special i BE në dialogun Prishtinë-Beograd, por nga ana tjetër dënoi deklaratat e fundit të Josep Borrel, përfaqësuesit të lartë të BE për Politikat e Jashtme.

“Nëse do të varej nga Lajçak, Sllovakia do ta njihte pavarësinë e Kosovës, siç kanë njohur pasaportat e Kosovës dhe na kanë mbështet disa herë që të anëtarësohemi në mekanizma. Ajo që ka thënë Borrelli ka qenë e dëmshme për Kosovën dhe politikisht e papjekur. Ne presim që BE të ketë qartësim në qasjen e dialogut dhe të jetësojnë qasjen e 8 viteve të fundit. Unitet transatlantik SHBA-BE për përmbylljen e dialogut Kosovë-Serbi në favor të Kosovës, pasi kemi kundërshtarë të mirëfilltë strategjikë”, ka shtuar Hoxhaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pasi që ish-objekti i Burgut të Prishtinës është shpallur muze…