Hoxhaj në Bled, në agjendë të takimeve dialogu Kosovë – Serbi dhe njohjet
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, po qëndron në Slloveni, ku po merr pjesë në Forumin Strategjik të Bledit.
Në margjina të këtij forumi, zëvendëskryeministri Hoxhaj ka takuar zëvendësndihmëssekretarin amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, ministrin e Jashtëm të Malit të Zi, Srdjan Darmanoviq, zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Terens Quick, si dhe personalitete të shumta që po marrin pjesë në këtë organizim.
Në takimin me Palmer, zëvendëskryeministri Hoxhaj ka theksuar rolin dhe rëndësinë e mbështetjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për fazën finale të procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Hoxhaj ka thënë se marrëveshja finale në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të ketë garanci të zbatimit si nga Bashkimi Evropian, ashtu edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Roli dhe mbështetja e ShBA-së në fazën e fundit të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë është jashtëzakonisht e rëndësishme. Ky proces duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellët dhe anëtarësim të Kosovës në OKB, ndërsa është e nevojshme garancia e zbatimit të kësaj marrëveshjeje finale nga Bashkimi Evropian dhe SHBA”, ka deklaruar zëvendëskryeministri Hoxhaj.
Ai ka treguar se në margjina të Forumit Strategjik të Bledit, me zëvendësndihmëssekretarin amerikan të shtetit, Matthew Palmer, kanë diskutuar për marrëdhëniet e shkëlqyeshme mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës.
Zëvendëskryeministri Hoxhaj ka takuar dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Srdjan Darmanoviq, me të cilin kanë diskutuar për marrëdhëniet bilaterale dhe mënyrat e bashkëpunimit mes dy shteteve në rrugën e përbashkët drejt integrimit euroatlantik.
Hoxhaj ka zhvilluar takime dypalëshe edhe me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Terens Quick, me të cilin kanë diskutuar ndër të tjera edhe për njohjen e Kosovës nga ky shtet.
Ai ka takuar edhe sekretarin e përgjithshëm të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Goran Svilanoviq, si dhe sekretarin e përgjithshëm të Ligës Arabe, Amre Moussa.