
Hoxhaj në Forumin e Sigurisë Globale në Katar takohet me ministrin e Financave të Sudanit, e falënderon për njohjen e Kosovës
Gjatë qëndrimit të tij në Doha, ku po merr pjesë në Forumin e Sigurisë Globale, ish-ministri i Punëve të Jashtme dhe deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj është takuar me ministrin e Financave të Sudanit, Gebreil Ibrahim Mohamed.
Hoxhaj ka bërë me dije se e ka falënderuar ministrin sudanez për mbështetjen e vazhdueshme dhe njohjen që Sudani i ka bërë pavarësisë së Republikës së Kosovës.
“Kënaqësi ta takoj dr. Gebreil Ibrahim Mohamed, ministër i Financave i Sudanit. E falënderova për mbështetjen dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Sudani!”, ka shkruar Hoxhaj në “Facebook”.
Takimi në Doha shënon një tjetër moment të rëndësishëm të diplomacisë parlamentare dhe angazhimit ndërkombëtar të Hoxhajt në promovimin e Kosovës dhe forcimin e marrëdhënieve me vendet partnere.
Forumi i Sigurisë Globale, ku po merr pjesë Hoxhaj, po zhvillohet në Doha dhe mbledh liderë politikë, diplomatë dhe ekspertë nga mbarë bota për të diskutuar sfidat globale të sigurisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.