Hoxhaj në Izrael: Po hapim kapitull të ri me American Jewish Comittee
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka takuar në Jerusalem drejtoreshën e American Jewish Comittee, Avital Leibovich, njërën prej organizatave më të mëdha hebreje në botë me seli në Izrael.
Në këtë takim, Hoxhaj e ka njohur me zhvillimet dhe progresin në Kosovë në dhjetë vitet e fundit që prej shpalljes së pavarësisë duke theksuar nevojën e thellimit edhe më të madh të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Izraelit.
Hoxhaj dhe Leibovich janë pajtuar për një kalendar të përbashkët të aktiviteteve dhe angazhimeve në muajt e ardhshëm për të intensifikuar të gjitha llojet e bashkëpunimit, nga ai kulturore e ekonomik deri tek politik.
“Pata një takim të shkëlqyer me drejtoreshën Leibovich të American Jewish Comittee, selia në Izrael, e cila është ndër organizatat kryesore herbreje në botë dhe me shumë ndikim. Folëm për shumë tema dhe mundësi të panumërta ku ne mund të bashkëpunojmë në të ardhmen. Kosova gjithnjë e më shumë po i rritë miqtë e saj kudo në botë e veçmas në Izrael. Mund të them se po hapim një kapitull të ri bashkëpunimi me American Jewish Comittee”, ka thënë Hoxhaj pas takimit.
Drejtoresha Avital Leibovich është mjaft aktive dhe me shumë ndikim në jetën publike në Izrael, ndërsa para se të emërohej në krye të AJC-së, ishte për shumë vite zëdhënëse e Forcave të Mbrojtëse Izraelite. American Jewish Committee është organizata 112 vjeçare me mbi 30 zyra nëpër botë, prej të cilave 20 vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Hoxhaj po qëndron për një vizitë zyrtare në Izrael, ndërsa kjo nuk është hera e parë që ai e viziton këtë shtet.
Ai sot do të marrë pjesë në Forumin Global për Luftimin e Antisemetizmit në Jerusalem, ku do të marrin pjesë shumë personalitete botërore përfshirë edhe Kryeministrin dhe ministrin e jashtëm të Izraelit, Benjamin Natanjahu.
Kjo ngjarje vjetore organizohet nga Ministria e Jashtme e Izraelit.