Hoxhaj: Në kabinetin tim u përpunuan propozimet për taksën dhe masat reciproke ndaj Serbisë
Kanë vazhduar përplasjet mes Enver Hoxhajt të PDK-së e Pal Lekajt të AAK-së. Lidhur me këtë Hoxhaj, tash i është përgjigjur Lekajt i cili ka deklaruar “se këmbëngulësia e kryeministrit të dorëhequr Ramush Haradinajt, e ka mbajtur taksën ndaj Serbisë”, duke iu drejtuar PDK-së se sa për ta, taksa ishte harruar.
Hoxhaj përmes një reagimi në “Facebook”, insiston prapë se taksa është propozim i tij i vitit 2018, bashkë me masat e reciprocitetit ndaj Serbisë.
“Kur ministri jashtëm serb dje paralajmëroi se një shtet do të tërheq njohjen ndaj Kosovës, për mua para dy vitesh kjo ishte e paimagjinuar. Kam kaluar ditën duke kontaktuar partnerë dhe miqtë e shumtë në pjesë të ndryshme të botës, për të kuptuar se për cilin shtet bëhet fjalë! Kam bërë po ashtu një projekt ide se si mund ta godasim prapa Serbinë në plan të gjerë. Besoj se në Qeverinë e re me kryeministër Kadri Veselin, do të kemi masa të reja kundër fushatës serbe. Nuk do të lëmë gurë pa lëvizur për të mbrojtur sovranitetin e Kosovës”, ka shkruar Hoxhaj.
Hoxhaj tutje thotë se sa për taksën, është mirë që është zgjeruar pronësia e saj.
“Politika për mua është sa betejë për ide kreative në situata komplekse po aq edhe vendimmarrje shtetërore në mbrojtje të ekzistencës tonë! Në çdo pozitë që kam pasur në Qeveri, së pari i kam vënë para vetes interesat e shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj, pastaj ato të partisë me të cilën krenohem që i takoj, PDK. Gjatë verës së 2018-s, në Kabinetin tim janë përpunuar dy propozime: njëri për taksën dhe tjetri për masa reciproke ndaj shtetit serb. Jam krenar që në nëntorin e kaluar njëra është bërë realitet, ndërsa reciprociteti është bërë diskurs edhe i partive në opozitë!”, thotë Hoxhaj.
“Duhet ta ushtrojmë sovranitetin në çdo cep të Kosovës dhe ta zgjerojmë njohjen ndërkombëtare të saj. Por asesi të mos harrojmë se interesi shtetëror i Kosovës është i barabartë me interesat e ShBA-së dhe partnerëve evropianë! E ardhmja e Kosovës është vetëm rruga drejt anëtarësimit në OKB, NATO dhe BE!”, ka thënë ai.