Hoxhaj: Në vitin 2026 mund të arrihet marrëveshja me njohjen reciproke
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do të ketë një platformë të re në dialog me Serbinë, ka thënë nënkryetari Enver Hoxhaj.
Sipas tij, nëse PDK-ja vjen në qeveri pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, do të rikthejë nevojën për marrëveshje finale Kosovë-Serbi me njohjen reciproke në qendër.
Madje, ai ka theksuar se një gjë e tillë mund të arrihet në vitin 2026.
Hoxhaj në një intervistë për “Kosovapress”, ka thënë PDK-ja do të hartojë platformën e re në dialog me një strukturë gjithëpërfshirëse të të gjitha partive politike si dhe shoqërinë civile.
“Me marrjen e pushtetit nga ana e PDK-së ne do të bëjmë disa hapa konkret në dialog. Hapi i parë do të jetë që pas tre muajve pasi të merr PDK-ja pushtetin, ne do të kemi një platformë të re në dialog e cila përfshinë një strukturë gjithëpërfshirëse të të gjitha partive politike. Kjo përfshinë edhe shoqërinë civile dhe ky dialog do të ndjek një qëllim dhe ide të vetme që është njohja e ndërsjellë. Ne mendojmë se gjatë vitit 2026 mund të krijohet një situatë e favorshme për të arritur një marrëveshje për njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë. Ne nuk shohim që të zbatojmë diçka pa e pasur njohjen e ndërsjellë në tavolinë”, ka thënë ai.
Hoxhaj ka thënë se marrëveshja bazë e Brukselit dhe aneksi i Ohrit, të arritur në vitin 2023 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, i ka sjell “dëme kolosale vendit, duke hequr njohjen e ndërsjellët nga tavolina”.
Përkitazi me këtë, ish-ministri i Jashtëm kritikon qeverinë Kurti e cila sipas tij e ka dështuar në politikën e jashtme.
Ai ka thënë se Kosova është e izoluar në raport me aleatët.
Sipas Hoxhajt, Kurti s’ka qenë në gjendje të përfundojë asnjë punë të vetme, por vetëm ka administruar me vendin.
“Nuk ka qenë në gjendje të përfundojë asnjë punë të vetme. S’ka asnjë projekt ku është vendosur gurthemeli dhe është prerë shiriti dhe është përuruar. S’ka ndonjë reformë që ka nisur me ndonjë koncept-dokument dhe është përmbyllur gjatë këtij katër viteve…Gjatë këtyre katër viteve nuk ka pasur qeverisje por administrim. Administrim i bie vendime që duhet të merr qeveria, shpërndarje dhe rishpërndarje të buxhetit por qeverisja nënkupton prioritet të qarta, reforma dhe vendosmëri”, ka thënë ai.
Hoxhaj ka thënë se PDK-ja “do të fitojë në zgjedhjet e 9 shkurtit”, ndërsa e ka përjashtuar mundësinë e koalicionit me partinë aktuale në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje.
“S’ka dyshim se do të ndodh ndryshimi politik dhe ndryshimit politik do t’i prijë PDK-ja. Temat që i kemi në tavolinë nuk mund t’i mbyllë vetëm një subjekt politik prandaj mendojmë se i takon opozitës të udhëheqë rotacionin politik, pa LV-në. Nëse ne kemi kritikë për LV-në do të ishte e pakuptimtë që ne të jemi të hapur për një bashkëpunim të tillë”, ka thënë Hoxhaj.