Hoxhaj: Njerëzit po vdesin në mungesë të vaksinave, Kurti me ministrat e tij po bëjnë xhiro me xhipa në Shqipëri
Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, i cili ka votuar të dielën në Tiranë për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri.
Hoxhaj ka thënë se Kurtit më shumë i interesojnë bashkëpartiakët në Shqipëri se fati i bashkëqytetarëve këtu, të cilët janë duke u ballafaquar me pandeminë dhe mungesën e vaksinave anti-Covid.
“Albin Kurti për të satën herë po shfaqet në Shqipëri si kryeministri i Kosovës që më shumë i interesojnë bashkëpartiakët atje se fati i bashkëqytetarëve këtu. Ndërkohë Shqipëria ka arritur numrin e 400 mijë qytetarëve të vaksinuar, në Kosovë janë vetëm 20 mijë të tillë në pritje të një tjetër kontigjenti ndihmash me vaksina. Në takimin me drejtorin e përgjithshëm të Spitalit të Prizrenit, dr. Afrim Avdaj mësova se në këtë qytet të madh nuk ka asnjë vaksinë të vetme në dispozicion ndërkohë që kërkesat e qytetarëve janë të larta. Edhe qendrat e tjera të vaksinimit në Kosovë janë të mbyllura. Njerëzit po infektohen edhe më shumë, të tjerët po vdesin në mungesë të vaksinave e kryeministri Kurti me ministrat e tij por bëjnë xhiro me xhipa e deklarata për mot të mirë në Shqipëri. Por parashikimet në Kosovë nuk janë të tilla z. kryeministër. Janë të errëta dhe për të cilat do të mbash përgjegjësi!”, ka shkruar Hoxhaj në llogarinë e vet në “Facebook”.