Hoxhaj njofton kabinetin qeveritar për strategjinë e BE-së për Ballkanin Perëndimor
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka informuar kabinetin qeveritar për agjendën evropiane të Kosovës.
Hoxhaj ka thënë se Bashkimi Evropian (BE), me nismën e presidentit të Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, është duke përgatitur strategjinë për zgjerim për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ai ka theksuar se në këtë strategji reflektohet për hapat që duhet të ndërmarrin shtetet e Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Gjithashtu në këtë strategji tregohet edhe për të arriturat dhe hapat e mëtejmë që duhet të ndërmarrë Republika e Kosovës. Ky dokument është duke u qarkulluar të vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe do të bëhet publike më 7 shkurt 2018”, ka thënë Hoxhaj.
Më tutje Hoxhaj ka shprehur shqetësimin për një qasje selektive që është duke i’u bërë vendeve të rajonit në këtë dokument strategjik të Komisionit Evropian.
Hoxhaj ka deklaruar se dokumenti nuk jep kushte dhe as afate kohore sa i përket procesit të integrimit të vendit tonë, dhe kjo sipas tij e bënë të paqartë të ardhmen e raporteve të Kosovës me Bashkimin Evropian dhe të implementimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, të nënshkruar nga Kosova dhe Komisioni Evropian.