Hoxhaj nuk tregon nëse do të kandidojë për kryetar të PDK-së
Enver Hoxhaj nga Partia Demokratike e Kosovës ka folur për konventën zgjedhore të kësaj partie e cila do të mbahet të shtunën, më 3 korrik.
Hoxhaj në emision “Politiko” të Kanal 10, nuk ka treguar nëse do të jetë kandidat për kryetar të PDK-së, por ka thënë se duhet të pritet edhe nesër.
“Kemi kohë edhe nesër që të paraqiten kandidaturat për të parin e PDK-së. Konventa është ngjarje më e rëndësishme se sa kush do të bëhet kryetar. Por ajo se çfarë do të ndodhë të shtunën do të jetë manifestimi i pjekurisë politike, konsensusit politik dhe konventa do ta mbërrijë qëllimin bazik: Bërja e PDK-së si parti e parë.
“Unë e kam pasur një detyrë e cila ka qenë që ta menaxhojë partinë prej 5 nëntorit kur Veseli e Thaçi u arrestuan nga Gjykata Speciale. Për mua ka qenë një periudhë e vështirë politike. Edhe sonte dua të jem fer dhe i drejtë, pres që të ketë edhe kandidatë tjerë. Detyra ime ka qenë që të shoh se si po shkon procesi zgjedhor dhe nesër mund të vendos nëse do të kandidojë”.
“Unë nuk i marr vendimet në studio. Nuk i kam marrë vendimet asnjëherë në studio. Por nesër kemi kohë, dhe nesër kanë mundësi edhe kolegët e tjerë që të kandidojnë për kryetar të PDK-së”, ka deklaruar Hoxhaj.
Ai ka ftuar këdo që dëshiron të kandidojë, le ta bëjë një gjë të tillë.
“Jam krenar që kolegët e mi në kryesi e kanë mbështetur mbajtjen e konventës. Ne kemi dhënë dorëheqje. Tash është një grup punues që merret me kandidaturat. Mund ta pranojë edhe kandidaturën time nesër”, ka thënë ai.