Hoxhaj: Numri i deputetëve që e votojnë demarkacionin është rritur
Për Qeverinë e Kosovës, ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi është prioriteti kryesor për vitin 2018, në mënyrë që qytetarëve të Kosovës tu hiqet regjimi i vizave.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se kjo çështje do të diskutohet në Kuvend në javët e fundit të muajit janar.
Hoxhaj në një intervistë për “lajmi.net” ka deklaruar se për këtë temë tashmë ka një situatë të re, ku numri i deputetëve në favor të kësaj marrëveshje, sipas tij është rritur.
“Tani kemi një situatë të re relativisht të mirë ku numri i deputetëve në favor atyre që e votojnë demarkacionin është rritur, si dhe në opinionin publik nuk ka një situatë që ka pasur para dy viteve ku ka pasur protesta e gaz në Kuvend. Edhe komisioni i ri ka treguar se nuk ka ndonjë fakt apo situatë të re. Ajo çfarë duhet është që paritë politike dhe liderët ta gjejnë një konsensus dhe rrugë për të lëvizur përpara. Kjo nuk nënkupton që çdo parti ta mbështesë demarkacionin por nënkupton si t’i sigurojmë 80 vota par ta aprovuar këtë marrëveshje ndërkombëtare”, është shprehur Hoxhaj.