Hoxhaj optimist për perspektiven evropiane të Kosovës
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se strategjia e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor në të cilin përfshihet edhe shteti ynë, tregon se perspektiva evropiane e gjashtë shteteve të këtij rajoni është e hapur.
“Kjo do të thotë, që me përmbushjen e kritereve të brendshme, ne presim nga BE-ja që Kosova brenda vitit 2018 ta marrë liberalizimin e vizave, si dhe brenda një kohe të shkurtër ta marrë rekomandimin për statusin e kandidatit për anëtarësim. Kjo do të ishte një dëshmi e përkushtimit të dyanshëm dhe e një procesi meritor për të gjithë”, ka shkruar Hoxhaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Hoxhajt:
Strategjia që u prezantua ditën e sotme nga Komisioni Evropian, është ngjarje e rëndësishme për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, që tregon se perspektiva evropiane e të gjashtë shteteve është e hapur. Në një kontekst të ri gjeopolitik dhe në një botë komplekse dhe të ndërvarur politika e zgjërimit është qasja më e duhur strategjike për rajonin, por edhe për vetë të ardhmen e Bashkimit Evropian.
Për Kosovën është me rëndësi që së bashku me shtetet e tjera është pjesë e politikës së zgjerimit, dhe raporti ynë kontraktual me Bashkimin Evropian përmes zbatimit të MSA-së e bën anëtarësimin tonë të pandalshëm. Pritjet tona kanë qenë dhe janë që kjo strategji të jetë me të vërtetë udhërrëfyes në rrugën drejt anëtarësimit, duke ofruar një kalendar kohor dhe faza konkrete të avancimit të pozitës së Kosovës. Ne në vazhdimësi kemi kërkuar qasje të balancuar, çka edhe kemi arritur deri në një farë pike.
Strategjia është e rëndësisë së veçantë meqë vëmendje e posaçme i jepet dialogut Kosovë – Serbi. Është mese e vërtetë që stabiliteti i rajonit varet nga normalizimi i marrëdhënieve Kosovë – Serbi që do të përmbyllte dialogun e Brukselit me njohje të ndërsjellët dhe anëtarësim të Kosovës në OKB. Prandaj, qartësia e BE-së në raport me dialogun dhe politika e saj e kushtëzimit është jetike për ta përmbyllur njërën ndër sfidat më vështira historike në Ballkanin Perëndimor.
Ne i përkrahim të gjitha vendet e rajonit në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Mirëpo, përshpejtimi për ta anëtarësuar Serbinë kur ka zhvilluar vazhdimisht politikë destruktive në raport me Kosovën dhe rajonin pasqyron më shumë një politikë të favorizimit sesa të realitetit. Ne nuk jemi që dialogu të përdoret vetëm si instrument për ta mbështetur njërin vend dhe jo vendin tjetër.
Është jetike për paqen dhe stabilitetin e rajonit, që të kemi një proces të drejtë dhe qasje gjithëpërfshirëse të bazuar në merita për të gjitha shtetet respektive përkitazi me procesin e anëtarësimit. Kjo do të thotë, që me përmbushjen e kritereve të brendshme, ne presim nga BE-ja që Kosova brenda vitit 2018 ta marrë liberalizimin e vizave, si dhe brenda një kohe të shkurtër ta marrë rekomandimin për statusin e kandidatit për anëtarësim. Kjo do të ishte një dëshmi e përkushtimit të dyanshëm dhe e një procesi meritor për të gjithë.
Ne jemi të vetëdijshëm që ekzistojnë pesë shtete brenda Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur Kosovën. Por, ka më shumë mundësi që BE-ja të ndikojë që këto shtete ta njohin realitetin e Kosovës së pavarur dhe të avancojnë pozitën e Kosovës në raport me institucionet e BE-së, sesa që ato mund të bëhen bllokuese ndaj Kosovës.
Është mirë që me këtë strategji ka më shumë Evropë në Ballkan dhe më shumë Ballkan në Evropë. Shpejtësia e ecjes së Kosovës varet sa nga konteksti i brendshëm po aq edhe nga ai i jashtëm, por shpejtësia e brendshme lëvizjes varet vetëm nga ne. Prandaj, ne si institucione mund ta zëmë hapin me vendet e tjera që e kanë nisur këtë proces shumë vite më herët, duke përshpejtuar zbatimin e MSA-së, reformat në drejtësi, zhvillim ekonomik, si dhe obligimet dhe marrëveshjet për të cilat jemi pajtuar. Njëkohësisht, kjo strategji është dëshmi e qartë se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian.