Hoxhaj: PDK-ja e kishte denoncuar këtë grup kriminal në vitin 2014
Zëvendëskryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se grupin kriminal, i cili në disa video-incizime përmend emrin e kryeparlamentarit Kadri Veseli, ky subjekt politike e kishte denoncuar në polici në vitin 2014.
Në një konferencë për medie, Hoxhaj ka treguar se denoncimi ka ndodhur nga deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti.
“Rrahim Hashimi, personi kyç në këtë grup kriminal është denoncuar në vitin 2014 nga nënkryetari i PDK-së dhe Kuvendit pasi që ia kishte përdorur emrin, njësoj si tani. Tani pyetja është pse nuk u hetua ky rast deri në fund. Rasti për të cilin ka qenë subjekt kjo video është mbyllur pa përfunduar hetimet dhe pa u vënë para përgjegjësisë penale akterët e këtij krimi të organizuar”, ka deklaruar Hoxhaj.
Ai ka deklaruar se ky rast qëllimisht është penguar, duke shtuar se rasti duhet të zbardhet deri në fund.
“Kjo nuk ka ndodhur për shkak të mungesës së provave dhe as të mungesës së resurseve, por është penguar qëllimshëm nga ana e akterëve të caktuar. Për këtë arsye sot kërkoj sqarim të këtij rasti deri në fund. Asnjë përpjekje e grupeve kriminale për ta njollosur figurën e kryetarit të PDK-së nuk na ndalë në agjendën tonë shtetndërtuese”, ka thënë Hoxhaj.
/Epoka e re/