Hoxhaj: PDK-ja është forcë politike e lidhur ngushtë me Kosovën
Instituti për Studime Politike i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka organizuar një bashkëbisedim me të rinjtë e Rinisë Demokratike (RDK).
Bashkëbisedimi/tryeza me titull “Nxitja dhe promovimi i kulturës së dialogut me strukturat e Rinisë Demokratike (RDK)” është moderuar nga zëvendëskryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj dhe këshilltari i kryetarit të kësaj partie, Blerim Latifi.
Fillimisht përfaqësuesi i Institutit për Studime Politike të PDK-së, Arben Gecaj, ka thënë se ky institut angazhohet për inicimin, përgatitjen, realizimin, dhe implementimin e ideve e rekomandimeve të dala nga procesi i dialogut të brendshëm me strukturat të zgjedhura të Rinisë Demokratike të Kosovës.
Ndërsa, zëvendëskryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka theksuar se ky dialog është duke u zhvilluar sipas normave, vlerave si dhe qëllimeve të PDK-së në raport me nevojat dhe kërkesat e kohës.
“PDK-ja është forca më determinante e shtetformimit dhe shtetndërtimit, e lidhur ngushtë me Kosovën, vizionin dhe perspektivën e saj, në dimensionin e brendshëm e të jashtëm, edhe tash, në procesin integrues euroatlantik”, ka thënë Hoxhaj, duke vënë në pah se ndryshimi fillon me rininë, e cila duhet të jetë kritike edhe në dekadën e lëvizjes së lirë, mirëqenies dhe ambientit.
Hoxhaj ka kërkuar nga të rinjtë që aktivizmin si fazë e re e zhvillimit të brendshëm të Rinisë Demokratike, ta bëjnë parim të veprimit të tyre cilësor.
Ndërkaq, Blerim Latifi, këshilltar i kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, pasi ka dhënë disa shpjegime për dimensionin thelbësor njerëzor, dimensionin e lirisë, me ç’rast ka pyetur se si i shërben një parti lirisë, duke dhënë përgjigje sipas koncepteve të filozofisë liberale të të kuptuarit të lirisë.
“Heqja e ndërhyrjes në jetën tonë, është njëra anë e lirisë, por, liria pozitive, kërkon më shumë. Ajo kërkon përmbushjen e vetvetes nga subjekti. Ku janë të rinjtë tanë përballë kësaj kërkese për realizimin e vetvetes? Ju duhet ta ndërtoni platformën Tuaj në Dekadën e re, për ta përmbushur veten dhe qëllimet e juaja, për dije, shkathtësi përball trendëve globale, me sistemin e vlerave të matshme dhe efikase, duke realizuar edhe synimin tuaj të përmbushjes me karrierën tuaj”, ka thënë Latifi, duke shtuar se alternativa ekonomike, duhet të jetë përgjigja e të rinjve ndaj pesimizmit ekonomik.
Latifi ka thënë se ndryshimet në këtë vend kanë ardhur nga PDK-ja, dhe ky debat le të jetë fillesë e këtij ndryshimi, duke mos lejuar që historia të bëhet politikë.
Ai ka thënë se merita profesionale dhe individuale duhet të jetë përmasa thelbësore e suksesit tuaj.
“PDK-ja synon që tregimin e tyre ta shndërroj në platformën e Dekadës së re, në platformën e ndryshimit te Kosovës. PDK-ja nuk është plakur që të merret me të kaluarën, u tha në debat dhe nuk duhet pranuar nga të rinjtë, percepcioni i krijuar nga kundërshtarët politik rreth të kaluarës madje edhe të tashmes, duke e zëvendësuar të tashmen e rinisë, si e ardhme”, ka thënë Latifi.
Ky lloj i debatit do të vijojë me pjesëmarrës në tryeza tjera ku do të jenë anëtarët dhe të deleguarit e Rinisë Demokratike, nga qershori deri në dhjetor të këtij viti, në nivel qendror dhe local.