Hoxhaj: PDK-ja lindi nga lufta e shenjtë e UÇK-së dhe burgjet e ftohta e të errëta serbe
Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj në hapje të Konventës së 10-të zgjedhore të partisë ka thënë se kjo ngjarje nuk është aspak e lehtë por e domosdoshme për të ecur përpara.
Ai ka deklaruar se mungesa e kryetarit Veseli dhe presidentit Thaçi e bën Konventën të jashtëzakonshme dhe ndjehet shumë mungesa e tyre. Por sipas tij, të gjithemi jemi besimplotë se ata do të kthehen të lirë e faqebardhë.
Ai ka theksuar se kjo Konventë duhet të shërbej që PDK-ja të dalë edhe më e fuqishme, më e reformuar dhe t’i ofrojë mbështetjen e plotë kryetarit të ri.
Ky është fjalimi i plotë i Hoxhajt:
Teksa po hyja në këtë sallë, pata mundësinë të përshëndetem me disa prej jush, të ndalem e të bisedoj shkurt. Tash po ju shoh të gjithëve nga këtu ku jam. Po ju shoh në sy dhe po dalloj pamjen e secilit prej jush.
Po e kam pamjen e plotë e asaj se cka është dhe çka përfaqëson PDK-ja: një parti e cila lindi nga lufta e shenjtë e UÇK-së dhe burgjet e ftohta e të errëta serbe. Ajo nuk u krijua në zyrat e nxehta apo kafenet moderne.
Po i shoh themeluesit e partisë, të cilët tashmë ndonëse më në moshë, asnjëherë nuk u dorëzuan në besimin për të ardhmen tonë. Por edhe shumë të rinjë e të reja, të cilët e shohin në PDK, jo vetëm të kaluarën por edhe vizionin për një Kosovë më të mirë.
Dua të ju falendëroj të gjithëve për angazhimin e palodhshëm; për mbështetjen e partisë pa kushte. Mbi të gjitha faleminderit për ardhjen tuaj sot në këtë numër të madh nga çdo pjesë e Kosovës. Sepse kështu është PDK-ja, e madhe me shtrirje, dhe po aq me historinë e saj.
Para se gjithash, dua t’iu falendëroj për rrugëtimin e përbashkët që disa nga ju e keni bërë me UÇK-në, e disa me PDK-në. Të dyja këto të pandara dhe në shërbim të Kosovës.
Liria, pavarësia dhe shtetndërtimi janë tri etapat e arritjes, lavdisë e krenarisë nëpër të cilat kemi udhëtuar. Janë tri shtylla, mbi të cilat, së bashku me qytetarët e Kosovës, kemi ndërtuar një shtet të lirë, sovran dhe demokratik.
Të dashur delegatë,
Jemi mbledhur në këtë konventë të jashtëzakonshme për motive të shumta por edhe për arsye të jashtëzakonshme!
Kjo konventë është e pazakontë sepse jemi ka kryetarin Veseli dhe Presidentin Thaçi. Rruga e tyre e drejtë e nisur shumë herët u ndal në gjysmë nga pretendimet e pavërteta kundër UÇK-së e të cilat në këto 20 vite janë hetuar në shkallë të ndryshme të drejtësisë vendore e ndërkombëtare.
Jam i bindur se kryetari dhe presidenti do të kthehen fitimtarë e faqebardhë sepse lufta jonë ka qenë e drejtë, e pastër dhe e mbështetur nga e gjitha bota demokratike.
Ata do të kthehen pranë familjeve të tyre. Do ti kthehen familjes sonë politike – Partisë Demokratike të Kosovës. Sikur në ato legjendat e moqme – heronjtë kthehen të fundit nga betejat
Ne, miqtë dhe bashkëpunëtorët e tyre që rrugëtuam së bashku në proceset më jetike dhe kritike për vendin, jemi krenar me ta, me të arriturat e tyre dhe sjelljen prej burrështetasi. Ata ishin çdo herë në lartësinë e idealeve të tyre. Kurrë nuk e vendosën interesin e tyre personal dhe partiak para atij të Kosovës.
Prandaj duam ti falendërojmë dhe t’iu tregojmë nga këtu sa krenar jemi me ta – me një duartrokitje të gjatë….!
Kur kemi vendosur ta ftojmë konventën pas shumë debatesh në parti, dhe jashtë saj, nuk kemi qenë të ndikuar nga ambiciet personale dhe interesat e ngushta partiake. Me këtë ngjarje sot, as nuk po i zëvendësojmë liderët tanë historik.
Por kam qenë dhe jam thellësish i bindur që një PDK e fuqishme, me mbështetje të gjerë popullore, do të thotë edhe një UÇK më e lavdishme dhe Kosovë më të fortë.
Kjo mund të ndodhë vetëm me rikthimin e PDK-së si parti e parë nacionale në Kosovë. Për të arritur këtë, ne sot kemi përgjegjësinë historike për ta hapur një kapitull të ri të partisë, dhe me një vizion të ri. Sepse ne e kemi përvojën, dijen dhe përkushtimin se si ta forcojmë, ta konsolidojmë dhe ta rikthejmë PDK-në aty ku e ka vendin – si parti e parë.
Ne jemi partia që ka ditur çdo herë të ju përshtatet rrethanave, kohës dhe ti adresoj kërkesat e qytetarëve. Kosova nuk është një shtet i dështuar sikurse pretendojnë ditë e natë kundërshtarët e saj të jashtëm dhe qeveria brenda Kosovës.
Kosova është një shtet që për një kohë të shkurtër ka arritur shumë dhe këto janë trashëgimi e pasur e PDK-së. Sot është një shtet i qytetarëve të ndershëm dhe punëtorë që meritojnë respektin dhe vëmendjen tonë.
Të nderuar delegatë, dhe qyetarë të Kosovës,
Jemi mbledhur në këtë Konventë me qëllime të matshme, konkrete dhe të arritshme sepse PDK-ja ka nevoj të reflektoj, të reformohet dhe të modernizohet më tutje.
Ne kemi qenë çdo herë në reforma edhe duke qeverisur. Çdo herë kemi ditur që ta gjejmë rrugën përpara, ti mobilizojmë kapacitetet më të mira, ta zgjojmë një vullnet të ri dhe të ripërtërihemi me njerëz të ri.
Por që të ndodhë sërish kjo – neve na duhet një koncept i ri politik dhe organizativ. Kjo mund të arrihet përmes një hapje përmbajtësore dhe kadrovike të PDK-së që do ti reflektonte edhe ndryshimet në politikë, shoqëri dhe ekonomi.
Nga kjo konventë presim që ta forcojmë edhe më shumë identitetin tonë si parti shtetformuese, por edhe si parti e djathtë. Të dalim me qëndrime të qarta dhe të shpejta për ta mbrojtur demokracinë, lirinë, ekonominë e tregut dhe lirinë e shprehjes.
Një identitet shumë më të qartë politik dhe programor e mundëson hapjen konceptuale. Të jemi një opozitë jo vetëm vëzhguese e kritike, por edhe projektuese, me ide dhe propozime të qarta që përfaqëson më së miri qytetarët e Kosovës.
Dua të jem i hapur dhe drejtpërdrejt me ju: për shkak të problemeve që ka sot vendi jonë – PDK nuk guxon t’iu shërbej vetëm interesave të ngushta partiake. Në duhet ti prijmë një fronti të përbashkët opozitar e qytetar kundër popoulizmit e mashtrimit.
Këtu na duhet edhe mbështetja e qytetarëve, shoqërisë civile dhe mediave. Sepse demokracia nuk është monolog, por është dialog. Demokracia nuk është dogmë që ndodhë vetvetiu. Ajo është bashkëpunim e ndërveprim i shumë aktorëve në të mirë të qytetarëve.
Kjo konventë të shërbej për një pozicionim të ri të partisë sonë. Për një PDK të re që do të përballet me sfidat e një qeverie autokratike dhe pa përvojë. Një Qeverie që nuk ka asnjë prioritet, dhe as një objektiv. Një qeveri që erdhi duke magjepsur shumë qytetarë me populizma e premtime të rrejshme për ndryshime radikale.
Por mjerisht në këto 100 ditë, vendi ka rrëshqitur në një iluzion të thellë, dhe po kërcënhet nga një izolim me jashtë dhe degradimit nga brenda. Është në kufijtë e prishjes me miqtë tanë të pëhershëm sikurse Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sot qytetarët po presin me ankth nga PDK-ja. Prandaj, t’iu tregojmë edhe njëherë se jemi parti e shpresës, besimit dhe optimizmit, por edhe e vendimeve të mëdha dhe ndryshimit.
Të ndëruar delegatë, të nderuar qytetarë
E kam marrë udhëheqjen e përkohshme të PDK-së në një situatë të vështirë sa për vendin, edhe për vet PDK-në. Ende nuk më largohet nga mendja shikimi i Kadriut më 5 nëntor të vitit të kaluar kur më tha: “Dost, duhet me i pri partisë. Ky është vendimi final”. Nuk mund ti harroj as fjalët e Hashimit kur shkuam së bashku me Hajredin për tu përshëndetur dhe na tha” Pom vjen keq që po ju lëmë kështu…!”
Besoj që sot ju kemi borxh të dyve, por edhe anëtarëve të PDK-së dhe gjithë elektoratit që na ka mbështetur këto vite që ta rikthejmë PDK-në në vendin e parë.
E di që nuk është aspak e lehtë, por jam i sigur që një parti që e ka ndryshuar historinë në këtë vend, mund ta ndryshoj edhe të ardhmen e këtij vendi. Vetëm duhet të punojmë dhe ëndrrojmë më shumë. Ne jemi të mësuar me sfidat dhe pengesat! Ato na bëjnë edhe më të fortë!
Ju jam shumë mirënjohës për mbështetjen gjatë kësaj kohe dhe jam krenar që që së bashku dhimbjen e kemi kthyer në forcë. Jam krenar që e kemi ruajtur të bashkuar partinë.
Por edhe rezultatin e 14 shkurtit duhet ta pranojmë dhe lexojmë me kujdes.
Sot ndodhemi në prag të zgjedhjeve lokale të tetorit. Ju e dini më së miri se njerëzit lidhen dhe votojnë shpesh për kryetarët dhe çfarë ata përfaqësojnë dhe jo shumë partitë. Ne kemi njerëzit më të mirë në komunat e Kosovës dhe kemi treguar modelet më të mira të qeverisjes.
Ai i PDK-së është modeli i ndryshimit dhe përparimit, kundrejt partive të tjera që është i degradimit e dështimit. Prandaj ju ftoj që duke u angazhuar të gjithë së bashku ta përhapim këtë model të qeverisjes së mirë kudo në Kosovë.
Ju jam mirënjohës që për 8 muaj më keni besuar dhe mbështetur shumë. Por e di që në dy ditët e fundit shumë prej juve ju kam zhgënjyer. Keni pritur që do të jem kandidat për kryetar dhe do të jem në garë. Më lejoni t’iu them se me thirrjen e Konventës së insistuar nga unë – kam synuar që gjenerata e re ta marrë drejtimin e partisë. Një gjeneratë që pëfaqëson demografinë dhe përbërjen gjinore të shoqërisë.
Si një njeri i shkolluar dhe formësuar në Perëndim, besoj fort se ndryshimet vijnë nga të rinjtë në politikë dhe në shoqëri. Prandaj kryetari i ri i dal nga kjo Konventë ka legjitimitetin e plotë dhe ne duhet ta mbështesim të gjithë dhe fuqishëm!
Qëllimi im ka qenë ta ruaj unitetin e partisë. Ta përbashkoj partinë. Që kjo konventë të jetë manifestim i pjekurisë dhe unitetit. Nuk kemi qenë në garë kush duhet të bëhet i pari në PDK por si ta rikthejmë PDK-në të parën në Kosovë.
Nuk ka delegatë të këtij apo atij kandidati, por delgatë të partisë historike, dhe të partisë të së ardhmes – Partisë Demokratike të Kosovës.
Për mua titulli asnjëherë nuk ka qenë frymëzim dhe pozita vizion. I dalloj shumë këto gjëra. Jam përpjekur të jem çdo herë vetja në politikë duke i shërbyer PDK-së dhe duke ia nënshtruar vullnetin tim vetëm një gjëje të shenjtë – Kosovës. Sepse autoriteti vjen nga lartë, të cilit i nënshtrohemi dhe i shërbejmë!
Me PDK-në kam rrugëtuar në momente të mira dhe kam qenë pjesë e fitoreve mashështore nga viti 2007. I kemi prirë negociatave për pavarësinë në Vjenë edhe si opozitë për ta shpallur pavarësinë si qeveri e porsaformuar. Kemi ngadhënjyer në betejën për shtetndërtimin dhe shënuar fitore diplomatike.
Me Hashim Thacin dhe Kadri Veselin kam bashkëudhëtuar për 33 vite e me ju në këto 18 vite. Dhe në jetë nuk e kam ditur saktë a është ndonjëherë me rëndësi rruga apo qëllimi që e arrijmë. E sot mendoj të dyja.
Sot jemi për ta, dhe për PDK-në.
Na priftë e mbara!