Hoxhaj: PDK-ja nuk lëshon pe për postin e kryeministrit
Zëvendëskryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka thënë se kjo parti nuk lëshon pe për postin e kryeministrit.
Ai ka thënë se kjo parti gëzon besimin më të madh tek qytetarët. Sipas tij një gjë të tillë do ta dëshmojnë edhe zgjedhjet e reja parlamentare.
“PDK-ja është forca që gëzon besimin më të madh tek qytetarët dhe këtë do ta dëshmojmë edhe në këto zgjedhje. Ne e kemi provuar tashmë çfarë ka ndodhur kur postin e kryeministrit ua kemi lënë partnerëve të koalicionit. Prandaj nuk do të bëjmë kompromise të asnjë lloji kur kërkojmë votëbesimin e qytetarit. Në këto zgjedhje ne do të hyjmë vetë dhe posti i kryeministrit është i panegociueshëm. Sa i përket koalicioneve paszgjedhore, ato parti që nuk do kenë kurajën që të bëhen pjesë e pikave tona programore, nuk do të jenë pjesë e qeverisë së ardhshme që ne do ta udhëheqim. Qytetari në zgjedhje tregon se kush ka vullnet dhe forcë t’ju prijë proceseve!”, ka shkruar Hoxhaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/