
Hoxhaj për Fiter Bajram në familjen e Hashim Thaçit: Presidenti do të kthehet më i fortë
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj që është edhe deputet i PDK-së ka vizituar sot familjen e ish-presidentit Hashim Thaçi i cili ndodhet në Hagë.
Hoxhaj ka ndarë në llogarinë e vet në “Facebook”, një fotografi me babanë e Thaçit dhe vëllezërit e tij.
“Dihet se prindërit janë mësuesit e parë të fëmijës e shtëpia është tempulli i familjes. Ky rol, si askujt më shumë, i shkon Bacës Haxhi, babait të Presidentit Hashim Thaçi dhe odës së familjes së tij!
Bacën Haxhi e urova për Festën e Bajramit dhe e falënderova që edukoi e mësoi një personalitet të madh për kombin shqiptar, i cili padrejtësisht nuk ndodhet as pranë prindërve, as pranë familjes, në këtë ditë feste, por që shumë shpejtë do të kthehet edhe më i fortë pranë tyre dhe Kosovës!” ka shkruar Hoxhaj.