Hoxhaj për takimin me Ramën: Ishte takim miqësor mes vëllezërve!
Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka dhënë detaje për takimin e mbajtur në Shqipëri, me kryeministrin shqiptar, Edi Rama.
Hoxhaj në një prononcim për “klankosova.tv”, ka theksuar se ishte një takim vëllazëror me shefin e qeverisë shqiptare, dhe liderë të partive politike nga Kosova.
“Ka qenë takim miqësor mes vëllezërve! Takimi ka ndodhur në kuadër të promovimit të një investimi nga Kosova, në Durrës në Shqipëri, ku ka marrë pjesë kryeministri Rama dhe liderë të partive politike, deputetë dhe mysafirë të tjerë nga Kosova në Shqipëri!”, ka thënë Hoxhaj.
I pyetur nëse temë e ndonjë diskutimi të ketë qenë Qeveria Kurti, dhe qasja karshi dialogut me Serbinë, Hoxhaj ka mohuar një gjë të tillë.
“Jo! Absolutisht jo! Nuk ka qenë takim as me paramendim, as me qëllim, por ka qenë takim miqësor në një ngjarje promovuese!”, është shprehur Hoxhaj.