Hoxhaj për taksën: Duhet të jemi të kujdesshëm në raport me partnerët tanë ndërkombëtarë
Zëvendëskryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj ka treguar për hapat që Kosova po ndjek në bisedimet me Serbinë për çështjen e “korrigjimit të kufijve” dhe strategjinë për të qenë të bashkuar në qëndrim të unifikuar për një marrëveshje të mundshme brenda këtij viti.
“Qëndrimi ynë si Qeveri e Kosovës por edhe si delegacion shtetëror i Kosovës i mandatuar nga Kuvendi për të negociuar me Serbinë, bashkë me presidentin Thaçi, është që duhet ta kemi një pozicion të përbashkët. Kosova nuk mund të ketë disa pozicione për sa i takon dialogut me Serbinë. Platformën që e kemi hartuar para një jave, e cila do të duhej të miratohet në kuvendin e Kosovës javën e ardhshme, që do të duhet të siguronte mbështetje të domosdoshme nga deputetët e Kosovës, parasheh që ne duhet të arrijmë njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, anëtarësim të Kosovës në OKB, që kushtetuta e Kosovës që buron prej ‘Paktit Ahtisari’, nuk është diçka që duhet hapur. Në këtë platformë parashihet që territori i Kosovës dhe kufijtë e Kosovës janë të paprekshëm dhe cenueshëm. Ky është dokument që ka marrë mbështetje nga subjekte politike të përfaqësuara në këtë delegacion shtetëror. Unë mendoj së ky është pozicioni i Kosovës në dialog”, ka thënë Hoxhaj në një intervistë për gazetën “Mapo”.
Duke folur për taksën ndaj produkteve serbe, ai ka theksuar se tani kjo taksë filluar ta rëndojë raportin e Kosovës mes SHBA-së dhe BE-së, dhe sipas tij është bërë pengesë për dialog.
“Taksa mbi mallrat serbe të cilat eksportohen në Kosovë, fillimisht ka qenë iniciuar si ide prej arrestimeve. Unë jam ai që i ka hedhur këto koncepte në letër, sepse do të duhet të ketë një taksë në raport me Serbinë, pas një agresioni diplomatik të cilin Serbia e ka bërë mbi Kosovën, në një fushatë agresive, duke bërë përpjekje që të bindë shtete për të tërhequr njohjen e Kosovës, bllokimin tonë në INTERPOL dhe qasjet që ka ndjekur Beogradi, që me Kosovën nuk mund të ketë asnjë marrëdhënia normale, bilaterale, politike që duhet ta minonin sovranitetin tonë të brendshëm, që duhet ta pengonin sovranitetin e jashtëm ta ushtrojnë, por që duhet të ketë një raport normal për termat ekonomikë me Kosovën, ose një lloj tregu ekonomie kolonie e Serbisë. Taksa ka qenë mesazh, taksa ka qenë një lloj thirrje jo vetëm në raport me Serbinë, por në raport me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe dëmi që i është shkaktuar Serbisë në aspektin ekonomik është mbi 100 milionë euro. Kemi një situatë të kohëve të fundit, ku taksën që kemi vendos në raport me Serbinë për shkak të kërkesës amerikane dhe europiane, që të largohet dhe që të vazhdojë dialogu, ka filluar ta rëndojë raportin tonë mes SHBA dhe BE dhe është bërë pengesë për dialog. Mendimi im është se duhet të jemi të kujdesshëm në raport me partnerët tanë ndërkombëtarë”, ka thënë Hoxhaj.