Hoxhaj përfundon takimet në Bruksel, shprehet optimist për vizat
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka përfunduar vizitën zyrtare në Bruksel, ku në agjendë temë kryesore ka pasur liberalizimin e vizave.
Përmes një postimi në llogarinë e vet në “Twitter”, Hoxhaj ka postuar një fotografi ku tregon se është duke u kthyer në Prishtinë pas vizitës që pati në Bruksel.
Ai është shprehur i bindur se shumë shpejt do të ketë rezultate pozitive sa i përket liberalizimit të vizave.
Zëvendëskryeministri Hoxhaj është takuar me raportuesen e Kosovës për liberalizimin e vizave në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon, me komisionarin për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, Johannes Hahn, si dhe me komisionarin për Migrim, Punë të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos, me të cilët ka diskutuar për Kosovën, rajonin dhe Bashkimin Evropian.
Temë e këtyre takimeve të Hoxhajt ishte liberalizimi i vizave për Republikën e Kosovës.
/Epoka e re/