Hoxhaj: Përkrahja e Austrisë për liberalizimin e vizave, e rëndësishme
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur në takim ministrin për BE, Art, Kulturë dhe Media, të Austrisë, Gernot Blumel, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë.
Duke e falënderuar për mbështetjen në rrafshin bilateral dhe multilateral të Austrisë për Kosovën, zëvendëskryeministri Hoxhaj ka thënë se Kosova është e përkushtuar që këto marrëdhënie të shkëlqyera të vazhdojë t’i intensifikojë edhe në rrafshin ekonomik, kulturor dhe fusha tjera të interesit të përbashkët.
Në takim është diskutuar edhe për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, tani që vendi ynë ka hyrë në kilometrin e fundit të këtij procesi.
Zëvendëskryeministri Hoxhaj ka theksuar se mbështetja e Austrisë për Kosovën në procesin e liberalizimit është jashtëzakonisht e rëndësishme.
“E falënderova mikun tim, ministrin Blumel për mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë për Kosovën dhe theksova se përkrahja e Austrisë për Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave është jashtëzakonisht e rëndësishme në këtë fazë të fundit të këtij procesi”, ka thënë Hoxhaj.
Po ashtu në këtë takim është diskutuar edhe për perspektivën evropiane të Kosovës dhe të Ballkanit Perëndimor, si dhe dialogun Kosovë-Serbi me ç’rast Hoxhaj ka theksuar se marrëveshja finale duhet të përmbajë njohjen e ndërsjellët mes dy shteteve dhe ta garantojë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.
/Epoka e re/