Hoxhaj: Përmbyllja e shtetndërtimit, jetike për Kosovën
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka bashkëbiseduar në Tiranë në një takim të mbyllur me politikanë dhe intelektualë rreth dialogut Kosovë-Serbi dhe mundësinë për të arritur një marrëveshje me 2019.
Në Forumin e Politikës së Jashtme të organizuar nga Instituti AIIS, Hoxhaj ka thënë se Kosova e ka të qartë synimin e saj në dialog – njohjen e ndërsjellë dhe anëtarësimin në OKB.
Në pyetjet e shumta dhe interesimin për modalitetet e mundshme të epilogut final, Hoxhaj ka thënë se Kosova e ka nxjerrë platformën e saj me parimet negociuese dhe duhet parë në frymën pozitive nga elitat politike në Kosovë dhe Shqipëri.
Duke folur për debatet e shpeshta edhe mospajtuese herë pas here në të dyja shtetet, Hoxhaj ka thënë se këto i sheh në frymën e një shteti e shoqërie demokratike por beson që fund të procesit do të jenë unik.
Hoxhaj ka thënë se përmbyllja e dialogut me Serbinë është edhe konsolidimi i jashtëm i Shqipërisë.
“Unë jam për qasjen që duhet menduar si ta përmbyllim dialogun dhe arrijmë një marrëveshje me Serbinë gjatë vitit 2019. Për ne në Kosovë është jetike përmbyllja e shtetndërtimit të Kosovës pikërisht 20 vjet pas çlirimit. Madje kjo do të nënkuptonte edhe konsolidim të jashtëm të Shqipërisë”, ka thënë Hoxhaj.
/Epoka e re/