Hoxhaj: Platforma shtetërore synon arritjen e unitetit politik për dialogun me Serbinë
Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ka bërë me dije se platforma shtetërore për finalizimin e dialogut të Kosovës me Serbinë, e miratuar të enjten nga Qeveria, synon arritjen e marrëveshjes ligjërisht të obligueshme për të dyja palët, që nënkupton njohjen e ndërsjellët në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Ai ka thënë se kjo marrëveshje mundëson edhe anëtarësimin e Kosovës në OKB, në BE dhe në NATO. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Hoxhaj ka treguar se kjo platformë parasheh edhe krijimin e një mekanizmi të krijuar nga Kuvendi për ta përfaqësuar Kosovën në dialog, por që procesi i dialogut do të udhëhiqet nga presidenti Hashim Thaçi.
Ai ka thënë se kjo platformë synim kryesor ka arritjen e një uniteti politik në mes të partive në pushtet dhe atyre në opozitë për procesin e dialogut me Serbinë
“Epoka e re”: Z. Hoxhaj, Qeveria e Kosovës të enjten ka miratuar Platformën shtetërore për finalizimin e dialogut me Serbinë. Cila është përmbajtja e saj?
Hoxhaj: E kam thënë edhe më herët se Kosovës i duhet një platformë në të cilën përfshihen pritjet nga dialogu me Serbinë. Pas një procesi të gjatë konsultues, Qeveria e Kosovës ka hartuar platformën shtetërore për finalizimin e dialogut me Serbinë. Kjo platformë është miratuar të enjten nga kabineti qeveritar, më pas është dërguar në Kuvendin e Kosovës. Platforma synon arritjen e marrëveshjes ligjërisht të obligueshme për të dyja palët e cila nënkupton njohjen e ndërsjellët në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kjo marrëveshje duhet ta mundësojë edhe anëtarësimin e Kosovës në OKB, në BE dhe në NATO. Po ashtu, platforma parasheh edhe krijimin e një mekanizmi të krijuar nga Kuvendi për ta përfaqësuar Kosovën në dialog, por procesi i dialogut do të udhëhiqet nga presidenti. Platforma është një dokument orientues dhe besoj se do ta marrë mbështetjen e të gjitha partive politike në Kuvend.
“Epoka e re”: Është përcaktuar periudha kohore e përfundimit të procesit të dialogut në këtë platformë?
Hoxhaj: Ne e kemi një çështje të hapur me Serbinë dhe kjo është mungesa e njohjes së ndërsjellët dhe marrëdhënieve diplomatike, që është bërë problem për Kosovën që të anëtarësohet në OKB, derisa për Serbinë është bërë pengesë për anëtarësim në BE. Afate kohore nuk ka, por Kosova, Serbia dhe partnerët tanë evropianë e amerikanë do të duhej të dalin me një plan kohor për fazën finale të procesit. Çdo herë kam avokuar që ta kemi një kufizim të dialogut në kohë dhe në përmbajtje. Me këtë platformë realisht Kosova hynë në fazën e fundit të dialogut për normalizim të raporteve me Serbinë. Normalizimi i raporteve mund të ndodhë vetëm atëherë kur të kemi njohje të ndërsjellët dhe anëtarësim në OKB.
“Epoka e re”: Është platforma e njëjtë baza e së cilës i është dorëzuar BE-së me herët nga ish-kryenegociatorja Edita Tahiri, që njihet si dokumenti i temave për fazën përfundimtare të dialogut?
Hoxhaj: Nuk e di që znj. Tahiri ka dorëzuar ndonjëherë ndonjë platformë të karakterit politik. Është e vërtetë se në vitin 2011 kemi bërë një dokument strategjik i cili na ka shërbyer si Qeveri për të hyrë në proces të dialogut me Serbinë të udhëhequr nga BE-ja. Atëherë Kuvendi pati miratuar një rezolutë me të cilën ka mandatuar Qeverinë për ta drejtuar këtë proces. Tash Qeveria ka dalë me një dokument të cilin ia ka adresuar Kuvendit të Kosovës. Tashme duhet të arrijmë një unitet të plotë politik ndërmjet partive të koalicionit qeverisës dhe atyre në opozitë dhe të shohim se si do të përfaqësohemi në proces të dialogut.
“Epoka e re”: Prisni mbështetjen e opozitës e cila nuk ka qenë pjesë e hartimit të platformës?
Hoxhaj: Fakti që platforma është hartuar dhe propozuar nga qeveria ka të bëjë me atë se çfarë është Qeveria në sistemin tonë kushtetues dhe politik. Qeveria propozon dokumente që janë të rëndësishme sa i takon politikës së jashtme në raport me Kuvendin. Pastaj i takon Kuvendit që ta marrë vendimin e fundit dhe ta vulosë këtë platformë. Pra, është Kuvendi i Kosovës vendi ku krijohet uniteti. Ideja e platformës është që të kemi unitet në mes të gjitha partive politike, atyre që janë në koalicion qeverisës dhe atyre që janë në opozitë, meqë politika e jashtme është një temë që duhet të na bashkojë dhe jo të na ndajë. Temat e interesit strategjik janë tema të të gjithë atyre të cilët janë në politikë, pavarësisht se kush mund të jetë përkohësisht në pushtet dhe në opozitë. Ideja e platformës është arritja e një konsensusi politik në mes të gjitha partive politike.
“Epoka e re”: Si mendoni të arrini këtë konsensus kur kemi parasysh ndasitë që ekzistojnë në skenën politike?
Hoxhaj: Si qeveri kemi shprehur vullnetin tonë politik për arritjen e unitetit, kurse u takon partive politike të deklarohen dhe të marrin qëndrim për këtë. Shënimi i vijës së kufirit me Malin e Zi është shembulli më i mirë në këtë drejtim. Ndonëse demarkacioni ka qenë temë që ka krijuar ndasi, megjithatë në fund kemi arritur të krijojmë një unitet të brendshëm politik, falë të cilit patëm 80 vota që mbyllën këtë temë njëherë e përgjithmonë. Ky është një model i mirë se si të shkohet përpara. Nuk ka rëndësi kush është në pushtet e kush në opozitë për temat e politikës së jashtme, meqë ato kanë të bëjnë me interesin vital të Kosovës. Në këtë frymë shpresoj se platforma do ta ketë një mbështetje të tillë në Kuvendin e Kosovës.
“Epoka e re”: Nuk mendoni se kjo platformë është dashur të hartohet nga të gjitha institucionet dhe nga opozita
Hoxhaj: Qeveria e ka dërguar versionin e parë të platformës, tash është në dorën e Kuvendit se çfarë do të vendosë. Deputetët mund të vendosin për të hequr ndonjë pjesë apo për të shtuar ndonjë pjesë të re në platformë, madje mund të dalin edhe me propozime të reja dhe aty mund të krijohet një qasje e përbashkët. Politikisht është në rregull edhe si procedurë. Pra, është në rregull që si Qeveri kemi propozuar një platformë e cila duhet të diskutohet dhe të miratohet në Kuvend.
“Epoka e re”: Kur prisni që Kuvendi ta miratojë këtë platformë?
Hoxhaj: Kjo është çështje që i takon Kuvendit. Ne si Qeveri jemi të gatshëm të debatojmë për këtë platformë kurdo që Kuvendi e cakton seancën.
“Epoka e re”: Z. Hoxhaj, një prej rekomandimeve në Raportin e Progresit ka qenë edhe vazhdimi i dialogu me Serbinë dhe arritja e marrëveshjes në mes të dy vendeve. Në përgjithësi, si e vlerësoni këtë raport?
Hoxhaj: Raporti i Progresit ka evidentuar progresin e arritur të Kosovës në disa fusha, por ka përmendur edhe ngecjet dhe sfidat. Është raport i cili e përfshinë punën e dy qeverive. Pritja kryesore që kanë pasur qytetarët e Kosovës sa i takon liberalizimit të vizave është përcjell me vënien e një drite të gjelbër. Komisioni Evropian do të dërgojë edhe një ekip të ekspertëve që do të merret me këtë temë në mënyrë të veçantë, meqë liberalizimi i vizave nuk është temë e cila ka të bëjë me integrimin evropian të Kosovës, por është një binar i ndarë që është trajtuar pozitivisht në raport. Ndërsa për gjetjet e tjera do të dalim me një plan të veprimit dhe do t’i adresojmë të gjitha.
“Epoka e re”: Pavarësisht prej progresit, Kosova ka mbetur mbrapa në krahasim me vendet e tjera në procesin e integrimit?
Hoxhaj: Kosova qëndron njëjtë sikurse vendet e rajonit qoftë për kriteret politike, kriteret ekonomike dhe kriteret sociale. Këtu nuk ka asnjë dallim, por dallimi i vetëm është që Kosova ka ndërtuar një raport kontraktual me Brukselin në tre vjetët e fundit me nënshkrimin e MSA-së, ndërsa vendet e tjera e kanë nisur në vitet 2001-2002 si dhe në vitet 2006-2007. Kështu që, vendet e tjera janë para nesh sepse kanë filluar procesin më herët. Ne jemi më të vonë në këtë proces sepse lindja e shtetit tonë ka qenë më i vonë. Kjo është arsyeja pse Kosova është më vonë në agjendën evropiane.
Shqipe HETEMI