Hoxhaj: Politika e regjimit të Millosheviqit po i bën shqiptarët në Luginë më të diskriminuarit dhe të rrezikuarit në Evropë
Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka theksuar se politika e regjimit të Millosheviqit që po zbatohet ende sot në Luginë të Preshevës, i trajton shqiptarët si armiq, duke i bërë ata më të diskriminuarit dhe të rrezikuarit në Evropë.
“Ata, mbijetojnë sot fizikisht brenda një sistemi të aparteidit politik, pa qasje në vende pune në sektorin publik dhe pa libra në gjuhën shqipe. Ata, çdo ditë po bëhen një popull pa shtetësi dhe pa atdhe, sepse Serbia po fshinë dhe çregjistron çdo adresë të tyre të vendbanimeve autoktone!”, ka shkruar Hoxhaj në “Facebook”.
Sipas tij, as Bashkimi Evropian apo ndonjë institucion tjetër ndërkombëtar nuk ka ndërrmarrë asgjë për t’i thënë stop kësaj gjendjeje.
“Një Qeveri e Kosovës që i ka dyert e mbyllura kudo, nën sanksione dhe e izoluar, është pa kredibilitet që t’i ndihmojë vetes, jo më vëllezërve të tyre! Ajo është pa veprim stategjik dhe nuk ka pozicion që ta bindë ndonjë kryeqytet perëndimor që këtë gjendje në Luginë ta ndalojë e ndryshojë, duke i lënë shqiptarët atje të dorëzuar në fatin e tyre dhe pa kurrfarë mbështetje në regjimin e vjetër dhe të ri në Serbi”, ka shkruar Hoxhaj.