Hoxhaj premton legalizim të ndërtimeve ilegale që nuk prekin pronën publik
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Enver Hoxhaj ka bërë me dije se janë rreth 400 mijë ndërtime ilegale, shtëpi, banesa e lokale afariste, që janë në pritje të legalizimit në Kosovë, raporton “Epoka e re”.
Gjatë një takimi me banorët e lagjes Kodra e Trimave në Prishtinë, ai ka deklaruar se me qeverisjen e tij do të legalizohen të gjitha ndërtimet ilegale që nuk e prekin pronën publike apo interesin publik.
“Janë rreth 400 mijë ndërtime ilegale, shtëpi, banesa e lokale afariste, që janë në pritje të legalizimit në Kosovë. Vlera e tyre sillet në rreth 10 miliardë euro dhe përfshinë mbi 350 mijë familje. Ky kapital ka mbetur i bllokuar, sepse në mungesë të fletave poseduese, pronarët e këtyre ndërtimeve as si hipotekë për kredi nuk po mund t’i përdorin ato. Ne do t’i legalizojmë të gjitha ndërtimet ilegale që nuk e prekin pronën publike apo interesin publik, duke e zhbllokuar kështu këtë kapital për t’i dhënë hov rimëkëmbjes së ekonomisë sonë”, ka shkruar Hoxhaj në profilin e tij në “Facebook”.