Hoxhaj: Pritja kryesore që ka Kosova, liberalizimi i vizave
Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka kërkuar nga institucionet që të hartojnë një plan konkret për zbatimin e rekomandimeve që dalin nga Raportit i Komisionit Evropian.
Ajo pasi ia ka dorëzuar këtë raport zëvendëskryeministrit Enver Hoxhaj, ka theksuar se Kosova ka bërë përparim muajve të fundit mirëpo ka ende punë për të bërë.
“Ne u pajtuam me zëvendëskryeministrin të fillojmë të punojmë në krijimin e një plani për të gjeturat kryesore të raportit për Kosovën, të cilat duhet të kenë progres të shpejt në mënyrë që Kosova të jetë pjesë e Evropës”, ka thënë Apostolova.
Ndërsa zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ka theksuar se Qeveria e Kosovës e ka marrë seriozisht raportin e Komisionit Evropian dhe do të marrë për bazë rekomandimet e dhëna.
Hoxhaj ka shtuar se pritja kryesore që ka Kosova është liberalizimi i vizave. “Pritja kryesore që ka Kosova është liberalizimi i vizave dhe gjuha në këtë raport është gjuhë premtuese se ka një vlerësim pozitiv dhe neve na duhet të bëjmë punë brenda vendit dhe të lobojmë në vendet e BE-së”, ka thënë Hoxhaj.
/Epoka e re/