Hoxhaj: Propaganda vazhdon të jetë fusha më e suksesshme e qeverisë Kurti
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se është duke krijuar kriza me aleatët ndërkombëtare.
Hoxhaj ka thënë se pas refuzimeve, Kurti pranon më vonë ato që “i kishte refuzuar” më herët.
Në këtë kontekst, Hoxhaj ka thënë se propaganda vazhdon të jetë fusha më e suksesshme e qeverisë Kurti.
“Kryeministri Kurti vazhdimisht refuzon çështje dhe krijon kriza me aleatë, vetëm për t’i pranuar më vonë ato që i kishte refuzuar, pas presionit e sanksioneve që i bëhen, siç shihet me zbatimin e një Marrëveshjeje të Brukselit, të cilës i është kundërvënë prej vitesh. Qeveria nuk duhet të mashtrojë opinionin publik – Kosova do të përfaqësohet me asteriks dhe Kurti duhet të sqarojë nëse ka ndryshuar vetëm protokolli i tavolinës apo nëse traktati i CEFTA-s mbetet i pandryshuar, ku UNMIK-u është ende palë. Propaganda vazhdon të jetë fusha më e suksesshme e kësaj qeverie”, ka shkruar Hoxhaj në “Facebook”.