Hoxhaj propozon që Kuvendi të miratojë rezolutën e OKB-së për përkujtimin e gjenocidit në Srebrenicë
Ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka njoftuar se sot në Kryesi të Kuvendit të Kosovës, ka propozuar që Kuvendi në ditën kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara aprovon rezolutën për “Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë”, të njëjtën rezolutë ta mbështesë edhe Kuvendi i Kosovës.
“Sot, në Kryesi të Kuvendit të Kosovës, kam propozuar që Kuvendi ne ditën kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara aprovon rezolutën për ‘Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë’, të njëjtën rezolutë ta mbështesë edhe Kuvendi i Kosovës. Duke mos qenë anëtare e OKB-së ku do të ishim përkrahës të natyrshëm të kësaj rezolute, kjo është mënyra më e mirë për Kosovën që t’i bashkohet botës demokratike në dënimin dhe përkujtimin e gjenocidit në Srebrenicë”, ka shkruar Hoxhaj në “Facebook”.
Ai ka thënë se ballafaqimi me të kaluarën është më se i nevojshëm dhe politika gjenocidale dhe serbomadhe e Beogradit ndaj Kosovës, Bosnjës dhe Kroacisë, duhet të ndëshkohet dhe përkujtohet, me qëllim që ajo kurrë të mos rikthehet në rajon.