Hoxhaj: Qëllimi bazik në dialog, njohja reciproke
Kosova dhe Serbia po hynë në një fazë të rëndësishme të dialogut për të dy vendet, në atë që po quhet edhe faza finale, e që pritet të përfundojë me njohje reciproke mes dy vendeve.
Nga pala kosovare qëllimi kryesor nga ky dialog është njohja reciproke dhe anëtarësimi në Organizatën Kombeve të Bashkuara , NATO e Bashkim Evropian.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj në një prononcim për lajmi.net, thotë se platforma për dialogun e miratuar në Qeveri të enjten, ka për qëllim arritjen e një marrëveshje për njohje reciproke dhe hapje të rrugëve për anëtarësim në BE e mekanizma tjerë të rëndësishëm.
“Qëllimi jon bazikë në dialog është që të ketë njohje të ndërsjellët, që Kosova të anëtarësohet në OKB dhe që të dy vendet po ashtu të aspirojnë dhe të përmbushin qëllimin e anëtarësimit në BE dhe NATO, dhe këto çështje i trajton edhe platforma që kemi miratuar në Qeverinë e Kosovë”, ka thënë Hoxhaj për lajmi.net
Sipas tij, e vetmja temë e madhe e cila është e hapur me Serbinë, është çështja e njohjes së Kosovës nga shteti fqinj.
Ai thotë se duhet biseduar edhe për tema tjera siç janë krimet e luftës dhe fati i personave të pagjetur.
“Në një mënyrë më të gjerë e vetmja temë e madhe e cila është e hapur në një planë bilateral mes Kosovës dhe Serbisë është çështja e mosnjohjes së ndërsjellët mes dy vendeve ose çështja e mos njohjes së Kosovës nga ana e Serbisë, pasi që Kosova ka pasur vullnet për raporte bilaterale”, është shprehur Hoxhaj.
Në platformën për dialogun të miratuar nga Qeveria, presidenti Thaçi autorizohet që ta udhëheq këtë dialog.
Por, kjo gjë po kundërshtohet nga partitë opozitare në Kuvendin e Kosovë.
E për këtë Hoxhaj thotë se ata mendojnë që presidenti duhet të udhëheqë këtë proces, e po ashtu të jenë të përfshira edhe partitë politike, në fazë që sipas tij, duhet të jetë vendimtare dhe më e vështirë se sa që e imagjinojmë.
“Si partner të koalicionit z.Thaçi e ka mbështetjen që ta udhëheqë dialogun, por ne fillimisht duhet ta bisedojmë këtë temë, të dalim me pikëpamje më të qarta, për atë se cilat janë pritjet, qëllimet e Kosovës në dialog, dhe unë mendojë që Presidentit i takon edhe me Kushtetutë që ta udhëheq Politiken e Jashtme dhe nuk ka temë më ta madhe të Politikës së Jashtme, se faza e fundit e dialogut me Serbinë, anëtarësimin në OKB dhe njohja e ndërsjellët”, është shprehur ish-ministri i Jashtëm.
Në platformën 9 pikëshe të dialogut me Serbinë, Kosova pret që të ketë njohje reciproke me Serbinë, e cila më pas do t’i mundësonte anëtarësim në OKB, NATO dhe BE.
Opozita ka kritikuar këtë platformë, që sipas tyre është bërë pa e menduar mirë, e cila nuk specifikon një kohë se kur duhet të përmbyllet ky dialog.
Serbia ka kërcënuar me dalje nga dialogu nëse Kuvendi i Kosovës e ratifikon këtë platformë.