Hoxhaj: Qeveria hoqi dorë nga ‘marrëveshja ligjërisht e detyrueshme’ me Serbinë
Ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka kritikuar qeverinë Kurti duke thënë se ka hequr dorë nga kushti që dikur ishte gjerman dhe pastaj ishte bërë i Bashkimit Evropian (BE) për “marrëveshje ligjërisht të detyrueshme” me Serbinë.
Hoxhaj në “Facebook”, ka shkruar se një dekadë më parë, Kosova ka humbur një mik të madh, ish-ministrin e jashtëm të Gjermanisë, Guido Westerwelle, i cili, sipas tij i kishte dhënë mbështetje të jashtëzakonshme Kosovës së pavarur dhe luajti një rol kyç në vendosjen e kushtit gjerman në marrëveshjen e mundshme mes Kosovës dhe Serbisë.
Por, Hoxhaj ka kritikuar qeverinë aktuale që kanë hequr dorë nga ky kusht, dhe kanë pranuar një marrëveshje që nuk është ligjërisht e detyrueshme dhe as nuk ka njohje të ndërsjellë.
“Një dekadë më parë, ne humbëm një mik të madh, ish-ministrin e jashtëm të Gjermanisë, Guido Westerwelle. Ai i dha mbështetje të jashtëzakonshme Kosovës së pavarur dhe personalisht e di që luajti një rol kyç në vendosjen e kushtit gjerman, dhe më vonë kushtit të BE-së, “marrëveshjes ligjërisht të detyrueshme” për Serbinë, një kusht nga i cili hoqi dorë këtë vit Qeveria e Kosovës duke pranuar një marrëveshje që nuk është as marrëveshje ligjërisht e detyrueshme dhe as nuk ka njohje të ndërsjellë!”, ka shkruar Hoxhaj.