Hoxhaj: Qeveria Kurti dhe ajo Hoti më të dobëtat pasluftës, shkuarja në zgjedhje është vendim i duhur
Ushtruesi i detyrës së Kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se mirëpresin vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili i hap rrugë zgjedhjeve të reja parlamentare.
“Një vendim i tillë ka qenë i pritur për shkak të krizës politike që ka qenë vendi nga 6 tetori i vitit 2019. Qytetarët kanë mund ta shohin në 14 muaj mashtrimin që ka ndodh. Ata pa fajin e tyre përjetuan zhgënjim, mashtrim, shpresë të vjedhur dhe premtime të papërmbajtura”.
“Ajo që ka ndodh në këta muaj është degradimi më i madh institucional në 10 vjetët e fundit. Dy qeveritë e fundit janë më të dobëtat që kemi pasur në demokracinë tonë të re. Rënia ekonomike 7.2 për qind është shqetësim i madh për të ardhmen e këtij vendit. Përtej parametrave ekonomik të dy qeveritë nuk kanë pasur sjellje shtetërore dhe e patën shndërruar vendin sikur të ishte në protektorat ndërkombëtar”, ka thënë Hoxhaj në një konferencë për medie.
Hoxhaj ka thënë se janë vetëm dy lajme të mira që i kanë ndodhur vendit në 14 muajt e fundit.
“E para, kalimi i Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike me vendosmërinë e PDK-së dhe vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese, vendim që ndali degradimin politik. Koalicioni aktual nuk ka pasur numra në kuvend për të kaluar asnjë ligj. Vendi ka qenë i bllokuar një kohë të gjatë”, ka thënë Hoxhaj, duke shtuar se PDK-ja është i gatshme për zgjedhja dhe përsëri ta marrë drejtimin e institucioneve.