Hoxhaj, qeverisë: E keni krijuar iluzionin se bota po na pret, aplikimi në NATO duhet të jetë prioritet
Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka thënë që prioritet i Qeverisë së Kosovës duhet të jetë aplikimi në NATO, duke e kritikuar qeverinë se e ka krijuar iluzionin sikur bota po e pret atë.
“Ju e keni krijuar iluzionin se bota na pret dhe keni pasur qasje në raport me dialogun ku parimet i keni pasur të shkruara në rërë dhe një politikë e ndërtuar në rërë sot mjerisht po shembet”, ka thënë Hoxhaj në foltoren e Kuvendit.
Sipas Hoxhajt, kjo qeveri i ka prioritetet e gabuara pasi që në vend se të aplikohet për NATO, kryeministri Albin Kurti e përmend aplikimin për statusin e kandidatit për integrim në Bashkim Evropian.
“Temë kryesore është anëtarësimi dhe mosanëtarësimi në NATO. Kryeministri Kurti thotë se ne do të aplikojmë për statusin e kandidatit në BE”, ka thënë Hoxhaj.
Mirëpo, Hoxhaj ka thënë se nëse qeveritarët do t’i lexonin lajmet, do ta kuptonin që për momentin më e rëndësishme është të aplikohet për NATO, për Kartën e Adriatikut, kur merren parasysh zhvillimet politike në nivel global.
“Z. kryetar, përtej dallimeve që i kemi të natyrës partiake, Partia Demokratike e Kosovës mendon që në dialog e kemi një qëllim të përbashkët, dhe mendon që në dialog e perceptojmë dhe e kemi një armik të përbashkët”.
“Çka kërkoj prej jush është që edhe shefja e grupit parlamentar por edhe zotëri Bislimi të na informoni se çka do të bëni. NATO dhe vetëm NATO duhet të jetë prioritet i kësaj qeveria dhe i Kuvendit”, ka thënë Hoxhaj.