Hoxhaj: Qeveritë me prirje autoritare synim kanë kontrollimin e vullnetit politik
Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka reaguar pasi Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal ka rekomanduar sot shkarkimin e bordit të RTK-së.
Hoxhaj përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se qeveritë me prirje autoritare synim dhe qëllim kanë kontrollimin e vullnetit politik, mediave dhe të opinionit publik.
Ai ka thënë se ketë qeveri dy gjëra do ta karakterizojnë: Mashtrimet politike në mungesë të një programi të mirëfilltë qeverisës dhe autoritarizmi, si e vetmja metodë të cilën ata e njohin.
“Qeveritë me prirje autoritare synim dhe qëllim kanë kontrollimin e vullnetit politik, mediave dhe të opinionit publik. Fatkeqësisht, këtë manual po e zbaton me përpikmëri Qeveria Kurti II. Edhe pse e dalë nga një proces zgjedhor demokratik dhe shembull për rajonin, puna e parë që bëri Albin Kurti ishte nxitja e shkarkimit të kryetares së KQZ-së, Valdete Daka. Sot, ai shkarkoi edhe bordin e RTK-së, duke i dhënë edhe një goditje tjetër medias dhe fjalës së lirë në vend. Atë që e kemi paralajmëruar si PDK edhe po ndodhë, dy gjëra do ta karakterizojnë këtë Qeveri: Mashtrimet politike në mungesë të një programi të mirëfilltë qeverisës dhe autoritarizmi, si e vetmja metodë të cilën ata e njohin”, ka shkruar Hoxhaj.