Hoxhaj: Raporti i BE-së, pozitiv për Kosovën
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka folur rreth raportit të Komisionit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor, i cili do të publikohet nesër.
Duke folur rreth kësaj teme, Hoxhaj në emisionin “Dossier D” në RTV Dukagjini, theksoi se ajo çfarë thuhet në këtë raport është një lajm i mirë dhe një vlerësim i mirë për Kosovën.
“Sa i takon liberalizimit të vizave vlerësohet si një zhvillim pozitiv pas shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi, si dhe progresi që ka bërë Kosova në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në raport këto dy kritere vlerësohen me një notë pozitive”, ka thënë Hoxhaj.
Hoxhaj ka shtuar se beson që Komisioni Evropian mund të dalë me një rekomandim edhe më të prerë për çështjen e vizave për Kosovën.
“Ajo se çfarë thuhet në raport është një lajm i mirë për qytetarët e Kosovës dhe tash e tutje mbetet që ne të punojmë me shtetet anëtare të BE-së”, u shpreh Hoxhaj.
Hoxhaj më tej ka shpjeguar procedurat e votimit që bëhen nga ministrat e brendshëm dhe drejtësisë të BE-së.
“Takimi i radhës në mes ministrave të brendshëm dhe drejtësisë së BE-së që Kosova të futet në agjendë mund të jetë diku në qershor por ende nuk ka ndonjë datë publike. Sipas procedurës Komisioni Evropian del me rekomandim të prerë që ka të bëjë vetëm me liberalizimin e vizave, pastaj një Komisionin i Parlamentit Evropian ku pjesë është edhe Tanja Fajon po ashtu duhet të japë një rekomandim pozitivë, dhe pas kësaj Parlamenti Evropian, Komisioni Evropian dhe Këshilli Evropian hynë një lloj trialogu dhe dalin me një qasje të qartë se si ti qasen procesit të liberalizimit të vizave dhe në fund Këshilli Evropian i cili përbëhet nga ministrat e brendshëm dhe ministrat e drejtësisë duhet të marrin në fund një vendim. Dhe ajo çka parashihet në këtë procedurë është që kërkohet një votë e kualifikuar dhe vota e kualifikuar është 55% e cila nëse zbërthehet në numrat e shteteve anëtare i bie diku 65% të popullatës që ka Bashkimi Evropian dhe në këtë rast, Spanja nuk do të duhej të paraqiste problem”, ka thënë Hoxhaj.
Ai ka treguar se pas liberalizimit të vizave qytetarët e Kosovës nuk do ta kenë problem të udhëtojnë drejt vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën si Spanja, Greqia,Sllovakia, Qipro etj.
Hoxhaj ka shprehur bindjen se deri në vjeshtën e këtij viti do të përfundoj ky proces dhe pastaj qytetarët të udhëtojnë lirshëm pa viza në fund të këtij viti apo në fillim të vitit 2019.