Hoxhaj: Shitja e armëve dhe pajisjeve ushtarake, instrument i politikës së jashtme serbe
Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar pas propozimit të rezolutës së BE-së, e cila do të diskutohet nesër (e premte) nga eurodeputetët, ku propozohet që të dënohet Serbia, e cila siç është thënë në dokument, së bashku me Rusinë dhe Kinën është duke eksportuar armë në Myanmar.
Hoxhaj përmes një reagimi në llogarinë e vet “Facebook” ka thënë se për këtë çështje që sot është duke e konfirmuar BE-ja, ka biseduar edhe me ndërkombëtarët sa ishte pjesë e qeverisë.
“Atë çfarë e kam thënë për shumë vite sa kam qenë në qeveri në takim me ndërkombëtarët, sot po e konfirmon Bashkimi Evropian. Shitja e armëve dhe pajisjeve ushtarake ka qenë instrument i politikës së jashtme serbe për disa dekada! Kjo ka ndodhur në koordinim të ngushtë me Rusinë dhe Kinën, kundër Perëndimit globalisht dhe kundër Kosovës në Ballkan! Ky është boshti gjeopolitik i Serbisë, boshti i së keqes!”, ka shkruar Hoxhaj.