Hoxhaj shkruan në ‘Facebook’: Deri në fund do të jem pjesë e PDK-së

01 korrik 2021 | 18:23

Anëtari i Kryesisë i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka vendosur që të mos kandidojë për kryetar të partisë.

Lajmin për të mos i hyrë kësaj gare, Hoxhaj e konfirmoi gjatë një konference për media.

Ndërkaq përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se tani është koha që një lidership i ri i PDK-së ta marrë përsipër barrën e përfundimit të shtetësisë tonë dhe anëtarësimit të Kosovës në OKB.

Ai ka thënë se deri në fund do të jetë pjesë e PDK-së, në çdo betejë dhe sfidë.

“Këtë të shtunë, PDK-ja e hap një kapitull të ri, i cili duhet të shënoj rikthimin e PDK-së dhe trasoj vizionin për të ardhmen e partisë dhe të vendit. Unë do të vazhdoj këtë rrugëtim dhe do të jem në përkrahje të lidershipit të ri që del nga Konventa. Krejt përvojën, dijen dhe përkushtimin do t’ia dedikoj forcimit, konsolidimit dhe rikthimit të PDK-së si parti fituese”.

“Deri më sot kam punuar me energjitë e fundit; kam punuar me shpirt për PDK-në, për Hashim Thaçin, për Kadri Veselin, për elektoratin e PDK-së. Deri në fund, unë do të jem pjesë e PDK-së në çdo betejë dhe në çdo sfidë që na pret! Na priftë e mbara!”, ka shkruar Hoxhaj.

PDK-ja më 3 korrik do të mbajë konventën për zgjedhjen e liderit të ri. Deri më tani vetëm Memli Krasniqi është kandidat për kryetar të partisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg gjatë vizitës njëditore…