Hoxhaj: Sjelljet e Vuçiqit nuk duhet të tolerohen nga BE-ja
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar ndaj deklaratave të fundit që presidenti serb, Aleksandër Vuçiq i ka bërë në lidhje me marrjen e masave, siç ka thënë ai të ashpra kundër Kosovës, pas Samitit të Parisit.
Hoxhaj ka thënë një deklaratë e tillë dëshmon se Vuçiqit nuk i intereson normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën. Ai ka theksuar se një sjellje e tillë nuk duhet të tolerohet nga Bashkimi Evropian (BE).
“Vuçiqi vazhdon ta dëshmojë që nuk i intereson normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën. Pikërisht para samitit në Paris, ai ka vazhduar me stilin e vjetër të logjikës së shantazhimit, duke kërcënuar popullin e Kosovës me agresion. Kjo sjellje është e patolerueshme për ne dhe nuk duhet toleruar as nga BE-ja”, ka shkruar Hoxhaj në llogarinë e vet në “Twitter”.
/Epoka e re/