Hoxhaj: Suksesi i policisë të përkthehet në fitore diplomatike, të sanksionohet Serbia

01 tetor 2023 | 12:58

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, ka dënuar ashpër sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku ka mbetur i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku dhe janë plagosur dy policë të tjerë.

Ai ka thënë se është momenti i fundit që bashkësia ndërkombëtare të sanksionojë Serbinë, derisa nga Qeveria e Kosovës ka kërkuar që suksesin e policisë ta përkthejë në fitore politike e diplomatike.

“Së pari, mendoj që Serbia e ka marrë përgjigjen e plotë duke demonstruar nga ana e Republikës së Kosovës që kushdo që bënë përpjekje që ta sulmojë sovranitetin dhe integritetin territorial do të pësojë sikur që e ka pësuar ai grup terrorist, të cilët bënë një akt të agresionit mbi Republikën e Kosovës. Së dyti, mendoj që akti si i tillë pa dyshim që ka lidhje direkt me politikën serbe, me shtetin serb, me vetë Aleksandër Vuçiqin, meqë Aleksandër Vuçiqi para se të bëhet politikan ka qenë paramilitar dhe krejt çka e njeh ai në karrierën e tij të hershme është pikërisht organizimi paraushtarak, paramilitar sikurse ishte kjo bandë kriminale që sulmoi veriun e Kosovës dhe ne mendojmë që duhet të kemi një hetim ndërkombëtar mbi këtë çështje të pavarur dhe i takon Bashkimi Evropian si ndërmjetësues që pikërisht të shtyjë çështjen e një hetimi ndërkombëtar meqë nuk mund të jeni në tavolinë të negocimit për normalizim të raportit dhe në të njëjtën kohë të sulmoni një shtet sovran dhe të pavarur… natyrisht që Serbia duhet të sanksionohet dhe është koha e fundit kur Serbia duhet të sanksionohet”, ka thënë Hoxhaj për “KP”.

Më tuje, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, ka rendur një mori argumentesh që e bëjnë Serbinë përgjegjëse për sulmin terrorist të së dielës së shkuar. “Pa dyshim se ajo çfarë ka ndodhur në veri të dielën ka qenë një sulm dhe akt agresioni i planifikuar, me agjendë të qartë politike, njerëzi të cilët kanë qenë të trajnuar, armatim i cili është siguruar nga shteti serb dhe koha e prodhimit të këtij armatimi tregon që shteti serb është mbrapa dhe në Serbi nuk mund të blesh një pistoletë, revole në treg të zi, lëre më armatim për një këmbësori të rëndë me uniforma. Por, përtej sasisë së armatimit, kohës së prodhimit, unë mendoj që vëmendja në Kosovë duhet të jetë rreth agjendës së tyre politike, platformës, qëllimit të tyre politik dhe ajo se çfarë ka ndodhur të dielën nuk është asgjë tjetër veçse e ngjashme me një përpjeke për ta aneksuar këtë pjesë të territorit të Kosovës. Në pikëpamjen time është e ngjashme me aneksimin e Krimesë nga ana e Rusisë, është e ngjashme me penetrimin e forcave paraushtarake, paramilitare, bandave kriminale në Donbas, është e ngjashme me mënyrën sesi ka filluar lufta në Kroaci dhe se si ka qenë agjenda e politikës serbe për të kontrolluar territorin e Kroacisë, është e ngjashme me atë se çfarë ka ndodhur në Bosnje. Partnerët tanë ndërkombëtarë duhet ta shohin aktin e agresionit të së dielës si një pikë kthese në raportet Kosovë-Serbi dhe në politikën rajonale”, ka thënë Hoxhaj, duke shtuar se është e rëndësishme që të hetohet në tërësi rasti dhe Kosova të ripozicionohet.

Sulmi terrorist, kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë dhe ambiciet e saj serbomëdha, Hoxhaj ka thënë se dëshmojnë se Kosova nuk guxon të kthehet në tavolinën e dialogut sikurse nuk ka ndodhur asgjë. “Duhet të ketë qartësi politike që dialogu të përfundon me njohje të ndërsjellët, me marrëveshje obligative ligjore, e cila është finale mes Kosovës dhe Serbisë se është agjenda politike ajo e cila ka qenë në vitet e 90-ta e rikthyer përsëri në shtatorin e 2023-ës dhe në këtë drejtim, mendoj që Kosova nuk duhet t’i ikë dialogut dhe tavolinë por Kosova nuk guxon që të shfaqet në tavolinë dhe të flasë për raportin Kosovë-Serbi sikurse para së dielës, është situatë komplet e re”, ka thënë Hoxhaj.

Sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Hoxhaj ka theksuar nevojën e koordinimit me ndërkombëtarët dhe strategji shtetërore për të ecur përpara drejt normalizimit me Serbinë. Hoxhaj është treguar kritik edhe ndaj udhëheqësve shtetërorë, për të cilët sipas tij “nuk duhet të dalin me tituj e lajme”.

Kuvendi i Kosovës të enjten ka miratuar rezolutën që dënon sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjksë të Zveçanit. E për nënkryetarin e Kuvendit, kjo është dëshmi e unitetit të pozitës dhe opozitës ndaj policisë, Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. “Nuk e shohim raportin tonë me shtetin e Kosovës prej asaj se a është dikush në pozitë apo në opozitë dhe natyrisht që i japim mbështetje të plotë Policisë së Kosovës, Forcave të Sigurisë së Kosovës, AKI-së, të cilët kanë bërë një punë brilante në një situatë ku edhe shtetet e mëdha do ta kishin vështirë që të përballen nga një sulm në befasi dhe i papritur.Në këtë drejtim mendoj që jemi unik pranë institucioneve të Kosovës, ajo se çfarë është shkruar në Rezolutën e Kuvendit të Kosovës është në zemër të çdo deputeti dhe mendoj të çdo anëtari, të çdo qytetari pavarësisht dallimeve partiake që i kemi për tema tjera”, ka thënë Hoxhaj.

Në orët e para të mëngjesit të së 24 shtatorit është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa polici tjetër Alban Rashiti dhe një tjetër kanë mbetur të plagosur. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjskë të Zveçanit ku është sulmuar patrulla policore. Policia ka vrarë tre prej terroristëve dhe ka arrestuar tetë. Policia e Kosovës ka gjetur arsenal armësh në Manastirin e Banjskës, ku terroristët u strehuan. Autoritetet në Kosovë kanë nxjerrë prova që implikojnë nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojçiq si udhëheqës të këtij grupi terrorist. E ky i fundit, i cili është i sanksionuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe, e ka pranuar se ka udhëhequr grupin terrorist.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Së paku shtatë njerëz kanë vdekur si pasojë e shpërthimit…