Hoxhaj takohet me drejtuesit e SBAShK-ut: Qeveria dështoi në organizimin e procesit mësimor gjatë pandemisë

17 dhjetor 2020 | 15:49

Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, i shoqëruar nga deputeti Sejdi Hoxha dhe anëtari i kryesisë, Muzafer Shala, kanë vizituar të enjten Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK).

Gjatë kësaj vizite, Hoxhaj ka shprehur shqetësimin e thellë në menaxhimin dhe organizimin e procesit mësimor nga qeveria gjatë pandemisë, e cila ka rrezikuar që të kemi një gjeneratë të humbur, raporton “Epoka e re”.

Ai ka thënë se krahas ruajtjes së shëndetit të nxënësve dhe mësimdhënësve, Qeveria e Kosovës duhet të merret me cilësinë në arsim dhe mbi të gjitha me një plan të qartë kohor se si dëshiron ta menaxhojë procesin arsimor në kohë pandemie.

“Ajo që ka ndodhur në gjysmëvjetorin e parë e ka premisën e parë dhe të qartë që mund ta kemi një gjeneratë të humbur në Kosovë, për shkak të dështimit të qeverisë që ta ketë një plan të qartë kohor se kur fillon një vit shkollor, kur përfundon një gjysmëvjetor, çfarë masash duhet të ndërmerren që procesi mësimor të jetë i planifikuar mirë”, ka thënë Hoxhaj.

Më tutje, Hoxhaj ka thënë se edhe ndërprerja e mësimit para kohe ishte një vendim jo i drejtë nga qeveria. “Ju e dini që e kanë pasur një plan A, B dhe C dhe tash kanë dalë në opsionin D dhe e kanë ndërprerë mësimin para se të përfundojë procesi mësimor, sikur se është paraparë me kurikulën e vitit përkatës. Këto shqetësime i ngrisim për këtë arsye”, ka thënë kryetari në detyrë i PDK-së.

Hoxhaj i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që tash gjatë një muaji pushim të merret seriozisht që kur të fillojë pjesa e dytë e vitit shkollor ta di, që nëse rritet numri i rasteve me të infektuar në Kosovë, atëherë të jenë të përgatitur për mësimin online.

“Këtu duhet që të kemi një mendim të plotë se çfarë duhet të ndodhë në sistemin tonë shkollor në kuptimin e digjitalizimit, të pajisjes me kompjuterë të të gjitha shkollave të Kosovës dhe qasjes në internet. Këto tema në vitin 2020 nuk janë më fizikë bërthamore, se të ketë internet dhe pajisje teknologjike kudo dhe të ketë mësimdhënës, të cilët mund ta përdorin teknologjinë për të ofruar përmbajtje arsimore nuk është siç ka qenë para 20 vitesh”, ka thënë Hoxhaj.

Ndërsa kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, ka falënderuar kryetarin në detyrë të PDK-së, Enver Hoxhaj, për mbështetjen dhe reformën e tij të vazhdueshme për arsimin në Kosovë, edhe gjatë kohës sa ishte ministër kur ishin dyfishuar pagat për mësimdhënësit, por edhe sot në rolin dhe pozicionin e tij të ri.

“E falënderoj kryetarin Hoxhaj për mbështetjen. Ne jemi të interesuar që të ulemi së bashku me të dhe PDK-në dhe të gjejmë mënyra të përbashkëta bashkëpunimi në të mirë të arsimit në Kosovë. Mbështetja e z. Hoxhaj edhe në kohën sa ka qenë ministër i arsimit, ku kemi pasur dyfishimin e pagave për mësimdhënës, edhe sot, është e mirëseardhur dhe shumë domethënëse për ne”, ka thënë Jasharaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Drenasit është përfituese e grantit për mjedis të…