Hoxhaj takon delegacionin britanik, kërkon mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në NATO
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur në takim një delegacion të deputetëve nga Britania e Madhe.
Hoxhaj ka thënë se ky takim ka shërbyer si një platformë për diskutimin e çështjeve kyçe që lidhen me prioritetet strategjike të Kosovës në rrafshin ndërkombëtar.
Hoxhaj ka ritheksuar rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, duke e konsideruar këtë proces po aq të rëndësishëm sa shpallja e pavarësisë më 2008.
Ai ka vënë theks të veçantë në rolin që duhet të luajë Britania në mbështetjen e shtetndërtimit të Kosovës dhe avancimin e saj drejt anëtarësimit në organizata ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara dhe Këshilli i Evropës.
“Në një botë të ndryshimit tektonik gjeopolitik, të kërcënimeve të Serbisë dhe Rusisë në Ballkan, anëtarësimi i Kosovës në NATO, është i rëndësisë së barabartë me pavarësinë e Kosovës, më 2008-n”, ka thënë Hoxhaj.
Ndërsa deputetët britanikë kanë riafirmuar mbështetjen e tyre për Kosovën dhe rëndësinë e përforcimit të bashkëpunimit dypalësh, duke theksuar se stabiliteti i rajonit të Ballkanit mbetet një prioritet i lartë për politikën e jashtme britanike.
Ky takim vjen në një moment të rëndësishëm për Kosovën, ndërsa ajo synon të forcojë pozicionin e saj ndërkombëtar dhe të integrohet në strukturat euroatlantike.
“Sot pata kënaqësinë të mirëpres një delegacion të deputetëve nga Mbretëria e Bashkuar , të cilët na vizituan në Kuvendin e Kosovës . Në një botë të ndryshimit tektonik gjeopolitik, të kërcënimeve të Serbisë dhe Rusisë në Ballkan, anëtarësimi i Kosovës në NATO, është i rëndësisë së barabartë me pavarësinë e Kosovës, më 2008-ën. Prioriteti më i rëndësishëm i Mbretërisë së Bashkuar, në raport me Kosovën dhe Ballkanin, duhet të jetë përmbyllja e shtetndërtimit të Kosovës, duke e mbështetur anëtarësimin e Kosovës në çdo organizatë ndërkombëtare, nga OKB deri në Këshill të Evropës, dhe një partneritet më i ngushtë me Mbretërinë e Bashkuar – ishin këto temat e takimit me delegacionin e deputetëve britanikë”, ka shkruar Hoxhaj në “Facebook”.
Në këtë takim, Hoxhaj ka qenë i shoqëruar nga shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri.