Hoxhaj takon mësimdhënësit e Kosovës: Pos rritjes së pagave, do ta digjitalizojmë procesin mësimor
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kanididati për kryeministër, Enver Hoxhaj së bashku me anëtarin e kryesisë, Muzafer Shala kanë takuar sot qindra mësimdhënës të vendit, para të cilëve ka prezantuar Planin e PDK-së për Rimëkëmbjen e arsimit.
Hoxhaj duke falënderuar mësimdhënësit për besimin e dhënë PDK-së ka thënë se ndjehet krenar që PDK-ja është e vetmja parti që i ka dyfishuar pagat e arsimtarëve dhe profesorëve në këto 15 vitet e fundit.
“Asnjëherë mësimdhënësit nuk kanë pasur trajtim më dinjitoz sesa në qeverisjen e kryeministrit Thaçi. Si ish-ministër i Arsimit, jam krenar që kemi dyfishuar pagat arsimtarëve dhe profesorëve. Kam qenë Ministër i Arsimit në kohën kur janë ndërtuar më së shumti shkolla të reja në Kosovë, kur janë dhuruar për herë të parë libra falas, kur e kemi hapur për herë të parë universitetin e dytë publik në qytetin e Prizrenit, kur kemi nxjerrë kurikulat e reja arsimore dhe kemi vendosur standardet më të mira të ngritjes së cilësisë së arsimit në të gjitha nivelet, prej atij parashkollor e deri tek ai i lartë.”, ka theksuar Hoxhaj.
Hoxhaj ka kërkuar votën e mësimdhënësve sepse arsimi në Kosovë ka nevojë për Rimëkëmbje, e këtë e bën vetëm PDK-ja përmes programit të saj, sepse ka dëshmuar që i dëgjon hallet e mësimdhënësve dhe i zgjidh problemet e tyre.
Ai ka thënë që dy qeveritë e kaluara Kurti dhe Hoti e kanë nëpërkëmbur arsimin pasi nuk kanë ditur ta menaxhojnë mësimin online gjatë periudhës së pandemisë, ndërsa PDK-ja do ta rimëkëmbë duke i rritur pagat për mësimdhënësit e të gjitha niveleve.
“Qeveria e udhëhequr nga unë do t’i rrisë pagat për arsimtarët në 650 euro, pagat për profesorët e shkollave të mesme në 700 euro, pagat për profesorët universitare në 1800 euro. Qeveria e udhëhequr nga unë do ta rrisë buxhetin për kërkim dhe zhvillim në 20 milion euro, do ta rimëkëmbë dinjitetin e arsimtarëve dhe profesorëve.”, ka thënë Hoxhaj.
Ndërsa, Muzafer Shala ka thënë se programi i PDK-së për arsim ka për mision krijimin e kushteve për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik me ngritjen e cilësisë përmes mekanizmave konkrete vepruese si dhe krijimin e kushteve te përshtatshme për punë.
“Ky program ne fazën e parë përfshinë reagimin e shpejte në përmirësimin e procesit mësimor si pasoje e keqqeverisjes në kushte pandemie te dy qeverive të fundit ku me veprime konkrete do të bëhet funksionalizimi i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, sigurimi i pajisjeve të nevojshme për mbarëvajtje të mësimit në distancë, zbatimi dhe mirëmbajtja e Sistemit për Menaxhimin e Mësimit, trajnimi i mësimdhënësve për mbarëvajtjen e mësimit në distancë apo virtual, rritja e stafit mbështetës në shkolla, zbatimi i konceptit Hibrid të klasave me rotacion ku gjysma e nxënësve ndjekin mësimin fizikisht dhe gjysma tjetër ndjekin mësimin në formë virtuale, sigurimi i mjeteve mbrojtëse kundër pandemisë Covid-19 për mësimdhënës dhe nxënës duke e rregulluar edhe bazën ligjore.”, ka thënë Shala.
Shala ka thënë se programi i PDK-së për Rimëkëmbje të arsimit u garanton 330 mijë nxënësve dhe 100 mijë studentëve përgatitje cilësore që të jenë konkurrent me bashkëmoshatarët e tyre dhe u jep dinjitet 25 mijë mësimdhënësve të kualifikuar.
Ndërsa, kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka thënë se PDK-ja do të dalë partia e parë në zgjedhjet e 14 shkurtit.