Hoxhaj takon njeriun që ndihmoi në njohjen e Kosovës nga vendet me shumicë myslimane
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, ka publikuar një fotografi me Ekmeleddin Ihsanoglun, ish-sekretar i Organizatës për Bashkëpunim Islamik (OBI).
Hoxhaj e ka cilësuar të çmuar miqësinë e tyre.
Më tutje, Hoxhaj ka treguar se Ihsanoglu ka ndihmuar në njohjen e pavarësisë së Kosovës nga vendet me shumicë myslimane.
“Bisedë frymëzuese dhe miqësi e çmuar! Me Ekmeleddin İhsanoğlu, ish-sekretarin e Organizatës Islamike (OBI), me të cilin kam bashkëpunuar ngushtë për më shumë se 10 vjet! Në vitet e para pas shpalljes, për Kosovën ka qenë e rëndësishme që Ekmeleddin İhsanoğlu ishte Sekretar i Përgjithëm për një kohë të gjatë. Si lider i një organizate që përfaqësonte shumë vende të botës islame, İhsanoğlu ndihmoi në sigurimin e mbështetjes për Kosovën nga vendet anëtare të OBI-së, të cilat e njohën pavarësinë e saj”, ka shkruar Hoxhaj në “Facebook”.