Hoxhaj takon strukturat e PDK-së në Mitrovicë, Vushtrri dhe Fushë-Kosovë
Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka takuar mbrëmë tri degët e kësaj partie, në Mitrovicë, Vushtrri dhe Fushë Kosovë.
Gjatë këtyre takimeve, kryetari Hoxhaj i ka njoftuar këto degë me zhvillimet e fundit në lidhje me projektligjin për rimëkëmbje ekonomike, propozimet e PDK-së të cilat do të jenë pjesë e pakos dhe votimit që pritet të bëhet të premten, raporton “Epoka e re”.
Edhe në këto takime, kryetari Hoxhaj e ka përsëritur formulën me të cilën është udhëhequr PDK-ja, opozitë ndaj qeverisë, por asnjëherë ndaj shtetit dhe qytetarëve.
Anëtarët e PDK-së në këto tri degë, janë shprehur të kënaqur me këto vendime, duke i konsideruar të drejta e të cilat do ta shpëtojnë ekonominë e Kosovës dhe do t’u dalin në ndihmë të gjithë popullit në këto ditë të vështira pandemie.