![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2019/06/2510F49B-3DDF-4D00-8E53-8081267F8CF0.jpeg)
Hoxhaj takon zyrtarët e NSC në Washington: Dialogu të përmbyllet këtë vit me njohje
03 qershor 2019
| 22:43
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj gjatë qëndrimit në Washington, D.C., ka takuar zëvendës-drejtorin e lartë për Evropë John Erath dhe drejtorin për Çështje Evropiane, William Berkley të Këshillit për Siguri Kombëtare të ShBA-së.
Gjatë këtij takimi, Hoxhaj ka njoftuar zyrtarët e NSC për zhvillimet në Kosovë, ecurinë e dialogut dhe gatishmërinë e Kosovës për mbarëvajtje të dialogut.
Ai shkroi në profilin e vet në “Twitter”, se marrëveshja finale duhet ta sjellë njohjen e ndërsjellë dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB.
Sipas Hoxhajt, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe disa vende të Evropës janë kyçe për suksesin e këtij dialogu final, pasi që nuk mund të ketë marrëveshje të zbatueshme dhe afatgjatë pa mbështetjen e këtyre vendeve.