Hoxhaj: Të gjitha partitë që thirren në vija të kuqe përfundojnë në gjirin e PDK-së
Zëvendëskryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka thënë se të gjitha ato parti që i qesin kinse vija të kuqe kësaj partie përfundojnë në gjirin e saj.
“Në këto 20 vjet, janë një grup partish politike dhe politikanë që janë përpjekur ta ndërtojnë profilin e tyre politikë duke u thirr gjoja si anti PDK, pa iu ofruar kurrë dhe asgjë qytetarëve të Kosovës. As që bëhet fjalë për të kontribuar diçka në shtetndërtimin e mundimshëm të shtetit të Kosovës. Sa herë që flitet për zgjedhje të mundshme, ata turren të japin deklarata për PDK por pa i përmendur kurrë qytetarët dhe platformën politike për ta. Ky është mashtrimi 20-vjeçar”.
“Dhe për ironi, ky soji i politikanëve kinse anti PDK dhe që thirren në vija të kuqe, janë të parët që përfundojnë në gjirin e PDK-së dhe në pushtet sikur nuk ka ndodhur asgjë. Përvoja jonë politike dhe vizioni për Kosovën, të cilin qytetarët ia kanë besuar PDK-së me vite të tëra, na ka mësuar se vijat e kuqe i vendosin vetëm qytetarët. PDK është e para”, ka shkruar Hoxhaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/