Hoxhaj, thirrje Kurtit: Na bëj ftesën ta çojmë vendin në zgjedhje

16 dhjetor 2020 | 08:41

 

Situata politike në Kosovë vazhdon të jetë e tensionuar. Partitë politike ende nuk janë marrë vesh për zgjedhjen e presidentit të ri pas dorëheqjes së Hashim Thaçit, i cili është duke u gjykuar nga Gjykata Speciale për krimet e luftës në Kosovë.

Ndërkohë që Ramush Haradinaj ka shpallur kandidaturën për të qenë president i Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës e ka refuzuar kandidaturën e tij pasi, sipas Enver Hoxhajt, ai nuk është presidenti i duhur për Kosovën.

“Ne jemi në një situatë të brendshme shumë të përçarë dhe në të njëjtën kohë interesi për Kosovën dhe mbi Kosovën po humbet çdo ditë”, shprehet Hoxhaj në intervistë për “Euronews Albania”.

Ai thotë se nëse PDK-ja do të jetë pjesë e një marrëveshjeje për ta zgjedhur presidentin e ri të Kosovës, atëherë emri duhet propozuar nga ata.

“Ata duhet të na japin një shans pas largimit në mënyrë të dhunshme të z. Thaçi. Nëse dikush i kërkon votat PDK-së atëherë do të duhet që të ketë edhe propozimin nga PDK-ja. Ne do propozojmë dikë që mund të jetë anëtar i kryesisë apo mund të jetë deputet i Kuvendit të Kosovës apo një anëtar i ri i partisë”, thotë Hoxhaj.

I pyetur nëse PDK-ja ka marrë ftesë direkte apo indirekte për të qenë pjesë e koalicionit qeverisës, Hoxhaj u shpreh se deri më tani nuk ka marrë asnjë ftesë.

“Deri më tani nuk kemi pasur ftesë dhe nuk kemi pasur interes që të kemi ftesë. Ne kemi shprehur interes që ta ndihmojmë Kosovën mes kryetarit të LDK-së, z. Mustafa, që të ftojë partitë politike në një tryezë të konsensusit nacional për ta zgjedhur presidentin”,-thotë ai.

Lëvizja Vetëvendosje, pas fitores së zgjedhjeve në Podujevë, është shprehur e gatshme për zgjedhje të parakohshme, por kryetari i PDK-së shprehet se ende nuk kanë marrë një ftesë nga kjo lëvizje për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme. “Ne i themi të na bëjnë ftesën dhe ta çojmë vendin në zgjedhje të parakohshme”, rrëfen ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjermania të mërkurën regjistroi rekord të numrit të viktimave të…