Hoxhaj thotë se është problematike qasja e qeverisë Hoti në dialog
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka thënë se është shqetësuese qasja e qeverisë Hoti karshi çështjes së dialogut mes Kosovës e Serbisë.
Hoxhaj ka thënë në seancën e sotme se duhet fillimisht të ketë një kornizë dhe dokument që tregojnë për temat që dialogohen.
“Unë nuk jam për barrikadë, por me ndjekë një karvan të dialogut pa e ditë kohën, ndoshta mbërrin në cak kur bëhet kismet, është më serioze sesa mund të mendojmë. Ne e shohim problem qasjen e qeverisë në dialog”.
“Çka po thotë kryeministri është pozicionim legal i Kosovës. Kur unë e kam dëgjuar se si ka folur Vuçiqi në konferencën për shtyp, jo që nuk ma ka rikthyer diskursin e vitit 2000, por për mua ka qenë rikthim i viteve ’80-ta. Unë e di që kur shkon në dialog pa strategji përfundon në forma të tilla. Po e shohim si të rëndësishme që qeveria të na japë një dokument që ta dimë për cilat tema po flasim”, është shprehur Hoxhaj.