Hoxhaj: Vendimi i qeverisë për uljen e shtesave për pensionistët, skandaloz
Kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, e ka quajtur skandaloz dhe nëpërkëmbës vendimin e Qeverisë Kurti për uljen e shtesave për pensionistët dhe mjekët e infermierët.
“Skandaloz, i papranueshëm dhe nëpërkëmbës vendimi i Qeverisë Kurti për uljen e shtesave për pensionistët dhe mjekët e infermierët që po luftojnë me pandeminë. Kjo Qeveri që i la gjyshërit tanë pa vaksina tani po ua zvogëlon edhe atë pak mbështetje që u duhet për ilaçe”, ka shkruar Hoxhaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Hoxhaj ka thënë se pritja nga qeveria për ta lehtësuar barrën e rënduar ekonomike, shëndetësore e sociale për qytetarët të goditur nga pandemia, e konkretisht për mjekët, punëtorët shëndetësorë e të moshuarit, përkundrazi u kthye kundër tyre duke përgjysmuar shtesat financiare.
“Mungesa e dorës së shtetit fatkeqësisht po ndjehet çdo ditë dhe në çdo familje të Kosovës”, ka shkruar Hoxhaj.