Hoxhaj: Vendimi im është në të mirë të PDK-së dhe në mbështetje të lidershipit të ri

01 korrik 2021 | 17:27

Enver Hoxhaj në një konferencë për media ka konfirmuar se nuk do të kandidojë për kryetar të PDK-së.

Hoxhaj ka folur për procesin përgatitor të Konventës, nevojën e hapjes së partisë dhe mbështetjen që do t’i jep ai lidershipit të ri të dalë nga ky proces.

Ai beson që PDK-ja ka nevojë të hapet si parti, të reflektojë për ndryshimet në vend dhe të udhëheq betejën për demaskimin dhe largimin e Albin Kurtit nga pushteti.

“Sot ne kemi njërën prej qeverive më të rrezikshme në vend. Qeveri e cila ka synim ta kthej mbrapshtë çdo të arritur të këtij vendi, ta izoloj shtetin tonë dhe të vendos një sundim autoritar. Prandaj nuk duhet të heshtim. PDK-ja duhet t’i mbroj arritjet e këtij vendi që janë arritje edhe të qytetarëve të Kosovës. Nga e shtuna, PDK-ja e hap një kapitull të ri. Ky kapitull duhet të shënoj rikthimin e PDK-së dhe trasoj vizionin për të ardhmen e partisë dhe të vendit. Krejt përvojën, dijen dhe përkushtimin do t’ia dedikoj forcimit, konsolidimit dhe rikthimit të PDK-së si parti fituese. PDK-ja është partia më reformatore në Kosovë. Gjithmonë ka ditur ta gjej rrugën përpara, të ripërtërihet me njerëz dhe kapacitete të reja” ka thënë ai.

“Me PDK-në kam rrugëtuar në momentet më të mira të saj, në fitoret madhështore. Por ishte edhe fati im që ta udhëheq në momentet më kritike të ekzsitencës së saj. Që nga këto zgjedhje e deri më sot kam punuar me energjitë e fundit; kam punuar me shpirt për PDK-në, për Hashim Thaçin, për Kadri Veselin, për elektoratin e PDK-së. Një Kosovë më e mirë është ambicia ime e përhershme. Unë nuk jam kandidat për kryetar të partisë. Nuk është ikje nga gara, as nga përgjegjësia, as nga puna dhe përkushtimi. Vendimi im sot është në vijë me vendimet e mija që gjithmonë i kam marrë në PDK. Ky vendim është në të mirë të PDK-së” ka thënë Hoxhaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mercedesi dhe piloti britanik Lewis Hamilon janë pranë nënshkrimit të…