Hoxhaj: Vetëvendosja të distancohet nga sulmi i Kuvendit kur Thaçi u bë president
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, është takuar sot për më shumë se një orë e gjysmë me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin dhe ushtruesen e detyrës së presidentit,
Vjosa Osmani, ku temë diskutimi ishte formimi i institucioneve të reja.
Pas këtij takimi, Hoxhaj në një konferencë për media ka thënë se Kurtit dhe Osmanit ua ka paraqitur dhjetë qëndrime nga ana e PDK-së, shkruan “Epoka e re”.
“Së pari sa herë ka pasur zgjedhje të presidentit institucionet e Kosovës janë sulmuar dhe është goditur edhe vet ndërtesa e Kuvendit. Ne kemi pyetur Kurtin a distancohet ndaj një dhunë të tillë”, ka treguar Hoxhaj.
“Së dyti dialogu që në të kaluarën Kurti e Osmani kanë thënë se pa kërkuar falje Serbia e pa u gjetur të pagjeturit nuk ulen në tavolinë. Së treti çështja e Asociacionit. Së katërti edhe rishikimi i vijës kufitare. A do ta kthejnë kufirin në Zhleb e Qakorr. A e respektojnë marrëveshjen e Uashingtonit dhe tërësinë e saj. Cili është qëndrimi i tyre për Minishengenin”.
“Gjatë Qeverisë Hoti është suspenduar politika e jashtme duke hequr dorë nga anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare. Cili është qëndrimi i tyre. Po për reciprocitetin me Serbinë çfarë do të bëhet. Pra kemi ngritur një serë temash. Këtë takim do ta diskutojmë me organet e PDK-së dhe do të dalim me atë se cila do të jetë qasja jonë në raport me formimin e institucioneve”, ka thënë Hoxhaj.